Mediat në Zvicër zbulojnë se ku i shpenzojnë milionat Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri

Mediumi i njohur zviceran “Blick” i ka hyrë më thellë kësaj teme duke zbuluar detaje rreth investimeve të dy prej futbollistëve më të mirë shqiptarë ndonjëherë, përcjell “Gazeta Express”. Sa i përket Xhakës, ai së bashku me vëllain e tij Taulantin dhe babanë e tij, Ragipin, ka investuar në ndërtimtari, ndërsa është bashkëpronar i Generation Immobilien AG me seli në Basel të Zvicrës.
Edhe para themelimit të kompanisë, futbollisti i Leverkusenit e bleu një pallat apartamentesh në vitin 2018 në lagjen jo dhe aq luksoze Grenchen SO. Portofoli i tij i pasurive të patundshme përfshin gjithashtu prona në Basel dhe në Kosovë, atdheun e prindërve të tij.
Që nga viti 2020, ylli i mesfushës ka qenë gjithashtu një stilist mode. Së bashku me partnerët e biznesit, ai e themeloi markën e tij të veshjeve. Nën markën “Grajo”, Xhaka shet veshëmbathje të zakonshme për meshkuj.
Sa i përket Shaqirit, futbollisti i Baselit, i cili u tërhoq nga Kombëtarja helvetike në vitin 2024, po i riinveston milionat e tij të fituara nga futbolli në futboll.
Në fillim të vitit, 33 vjeçari u bë aksionar minoritar i klubit FC Rapperswil-Jona, i cili në atë kohë po ngjitej në një kategori më të lartë garash.
“Rappi është klubi perfekt për ta parë nga afër menaxhimin”, thoshte Shaqiri në atë kohë për “Blick”.
Klubi nga St. Gallen është ngjitur në divizionin e dytë të futbollit zviceran, Challenge League. /Gazeta Express