Media bullgare: Beogradi iu bashkua propagandës kundër ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni

Media bullgare: Beogradi iu bashkua propagandës kundër ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni

“Radio Televizioni i Serbisë ka nisur propagandë të hapur kundër ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut” të cilat janë parakusht për nisjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka shkruar agjencioni bullgar i lajmeve Bgnes.

Korrespodenti i kësaj medie në Beograd, raportoi se RTS në një raport gjithpërfshirës të titulluar “a po bëhen maqedonasit pakicë në shtetin e tyre” ku u sugjeron se “bullgarët vënë në pikëpyetje identitetin e maqedonasve”.

“Para mëse pesë vite, Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) ndërroi emrin si kusht për vazhdim të integrimeve evropiane, por tash Bullgaria i ka vendosur edhe një barrierë tjetër për t’u listuar si pakicë kombëtare në Preambulë të Kushtetutës, dhe ata përbëjnë vetëm 0.19% të popullatës”, ka raportuar RTS, siç e sjell media bullgare, duke shtuar se një raportim i tillë është bartur edhe në gazetën e përditshme të Beogradit, “Politika”.

Siç vazhdon të thotë më tej agjencioni bullgar i lajmeve, në informacionet e transmetuara në RTS, “përveç rrezikut nga bullgarët, edhe një armik tjetër po thërret – shqiptarët, të cilët po kërcënojnë integritetin e shtetit”.

“Raportuesi i RTS-së qysh në fillim citon ish-kryeministrin e (Maqedonisë së Veriut) Zoran Zaev, i cili e ka pyetur Bojko Borisovin se si të gjithë njerëzit në botë e kanë prejardhjen nga majmunët, ndërsa vetëm ne maqedonasit e paskeni prej bullgarëve”, thotë agjencioni Bgnes, në raportimin e titulluar “Beogradi zyrtarisht i është bashkuar propagandës kundër ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut”.

Ai shton se raporti i RTS përfundon me një kujtesë se “në vitin 2019, RMV bëri lëshime ndaj shqiptarëve dhe kështu gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare e shtetit”.

LEXO EDHE:

Back to top button