Irlandezi Konor MekGregor, ish-kampioni i dyfishtë i botës në artet marciale mikes, po përgatitet për rikthimin e tij në kafaz. Ai u shpreh se ndër kandidatët e mundshëm për të dueluar me të është Kamaru Usman, kampioni i botës në peshën “Uelter”.
MekGregor nuk e sheh aspak të vështirë këtë sfidë. Madje irlandezi shprehet i gatshëm për të dueluar ndaj Usman edhe pse në sfidën e fundit (korrik 2021) u dëmtua në këmbë, që e detyroi të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale.
“Gjithçka varet nga pesha që do të kem. Për momentin jam mbi këtë peshë (uelter). Gjithsesi, unë besoj te vetja ime dhe nuk e shoh aspak të vështirë një duel ndaj Usman. Jam gati të përballem sy ndër sy me të. Ndihem i fortë, i shëndetshëm dhe po stërvitem mirë. Kam shumë energji dhe kjo kohë e gjatë pa duel më ka karikuar. Usman e shoh si një rival të menaxhueshëm. Gjithsesi, do të flas me Dana Uajtin, dhe po përgatitem për çdo skenar të mundshëm”, u shpreh Konor MekGregor.








