Meksiko shkon në Katar, Kostarika ndal SHBA-në

Kombëtarja e Meksikos në futboll, u kualifikua në Botërorin në Katar 2022, pasi që në terrenin nikoqir mundi Salvadorin me 2-0. Goli i parë u shënua përmes Uriel Antunit në minutën e 17-të, ndërsa fitoren e konfirmoi Raul Himenez, nga pika e bardhë, në fund të pjesës së parë.
Meksiko siguron biletën e Botërorit në Katar, me numrin e njëjtë të pikave, por golaverazhin më të dobët nga lideri, kombëtarja e Kanada-s.
Krahas Meksikos, një sukses të madh regjistroi edhe Kostarika, e cila shënoi fitore 2-0 kundër SHBA-s, falë golave të shënuara nga Pablo Vargas dhe Antoni Kontreras. Me këtë fitore Kostarika siguron përballjen e balotazhit kundër kombëtares së Zelandës se Re.