Merkel dhe Makron do t’i ulin në një tavolinë Zaevin e Radevin

Intensifikohet presioni ndërkombëtar ndaj Bashkimit Evropian për hapjen e dyerve për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti bullgar Rumen Radev do të takohen nesër pak para fillimit të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që do mbahet në Bërdo të Sllovenisë. Paraprakisht ata do të ulen në takim me Varhejin dhe Janshan. Ndërsa më pas do të kenë takim të përbashkët me kancelaren gjermane në largim Angela Merkel dhe presidentin francez Emanuel Makron. Sipas mediave bullgare takimi i tillë i vendos Gjermaninë dhe Francën në qendër të përpjekjeve për zgjidhjen edhe të një krize në BE. Kryeministri Zaev konfirmoi takimet e përbashkëta. Ndërkohë presidenti amerikan i ka theksuar autoriteteve të BE-së se zgjerimi duhet të vazhdojë. “Bajden ia ka theksuar presidentes së KE-së Ursula Fon Der Lajen se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të vazhdojë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ta përfshijë Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar në Tuiter ambasadorja amerikane në Shkup Kejt Mari Bërns. Bajden ka biseduar me Der Lajen dhe ka shfaqur mbështetje për Unionin si partner i SHBA-së.

LEXO EDHE:

Back to top button