Merkel: Procesi i Berlinit nuk është i dështuar
Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel mblodhi në një drekë pune në Tiranë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Merkel, kancelare në largim, u zotua para liderëve se politika e Gjermanisë ndaj rajonit nuk do të ndryshojë dhe mbështetja në proceset e zhvillimit nuk do të mungojë. Edhe pse nuk janë realizuar një pjesë e madhe e projekteve nga Procesi i Berlinit, Merkel nuk e quan atë të dështuar. Diskutimi u fokusua në bashkëpunimin e mëtejshëm rajonal. Delegacioni qeveritar nga Shkupi u kryesua nga Kryeministri Zoran Zaev.
Nuk mund të themi se ka përfunduar ndërtimi i autostradave të synuara por ka procese të tjera që janë iniciuar. Kemi një rrjet të shkëmbimeve rinore në vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi shkëmbim në nivel shkencor… Pra, ngaqë nuk ka ndodhur gjithçka nuk mund të themi se nuk ka ndodhur absolutisht asgjë. Ndoshta diçka merr më shumë kohë se sa duhet sa u takon procedurave të planifikimit, ndoshta zbatimi nuk është aq i shpejtë sa do të duhej, por shumëçka është në rrugën e duhur – tha Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë.
Liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën për herë të parë në një tryezë në fillim të procesit të Berlinit të filluar nga Merkel në vitin 2014. Që atëherë, kryeministri shqiptar Edi Rama vlerëson se rajoni është bërë më bashkëpunues dhe më i prirë për tejkalimin e konflikteve.
Sigurisht që procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e vet. Mekanizmat për t’u vënë në lëvizje në kontekst të investimeve janë mekanizma të “avasht” por ama edhe Ballkani i Hapur që sot ne e kemi si një nismë të tre vendeve që synojnë të përfshinë të gjashtë vendet, është rezultat I këtij procesi. Ne mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët dhe edhe konfliktet e trashëguara me vite e vite, në atmosferën e krijuar nga procesi i Berlinit, kanë më shumë mundësi zgjidhjeje – deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Rama i cili beson se Merkeli do t’i mungojë rajonit, i dha asaj Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.
Pas drekës së përbashkët, Merkel takoi liderët një nga një.
Me Zaevin, siç njoftojnë nga Qeveria, Merkel do të diskutojë për tregtinë mes dy vendeve, rrethanat politike për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe nismën “Ballkani i Hapur”. Kancelarja gjermani paralajmëroi një takim tjetër me liderët e rajonit më 6 tetor, në Presidencën sllovene të BE-së.
Fatlume Dervishi








