Merkeli e Makroni ulën në një tryezë Zaevin dhe Radevin

Shkupi dhe Sofja betonizojnë qëndrimet e tyre rreth kontestit që po mban të bllokuar rrugëtimin e vendit drejt Brukselit. As takimi i realizuar në Bërdo të Sllovenisë mes kryeministrit Zaev e presidentit bullgar Radev në prani edhe të kancelares gjermane Merkel e presidentit Francez Markon, nuk ndihmoi që liderët të japin sinjale pozitive për zgjidhjen e ngërçit.

Radev tha se përderisa Shkupi nuk e pranon të vërtetat historike në raport me Bullgarinë, ashtu siç bëri me Greqinë, Sofja nuk do të lëvizë nga qëndrimi i fundit.

“Presim çrrënjosje të gjuhës së urrejtjes, deluzionin dhe interpretimin e Bullgarisë në librat shkollorë, monumente, muze dhe politikën publike. Atëherë njerëzit tanë do të jenë gati të thonë “ Po”. Duam dokumente detyruese të qarta ligjërisht. Bullgarët maqedonas të figurojnë në Regjistrim e popullsisë. Ashtu siç është pranuar e vërteta historike në raportet me Greqinë, duam të pranohet edhe e vërteta historike  në raportet me Bullgarinë. Ndërprerja e maqedonizimit dhe urrejtjes  ndaj Bullgarisë dhe sjellja e vendimeve të qarta”- deklaroi Rumen Radev – president i Bullgarisë.

Nga qeveria informojnë se në takimet e realizuara në Bërdo më zyrtarët e lartë evropian, kryeministri Zaev ka theksuar se popujt e Ballkanit Perëndimor presin që deklaratat e BE -së të përkthehen në veprim dhe se nëse BE -ja nuk vepron, zhgënjimet e popujve të rajonit do të jenë të pariparueshëm dhe në dëm të madh të idesë së madhe evropiane të unitetit dhe bashkëpunimit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen theksoi se dialogu mes Maqedonisë dhe Bullgarisë duhet të rikthehet në rrugën e duhur. Ajo tha se edhe më skeptiket kanë dhënë mesazhe të qarta për hedhjen e hapave përpara drejt zgjerimit të BE-së.

 “Por, edhe BE duhet të bëjë më shumë. Ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara. Kemi diskutuar në samit dialogun.”- Ursula Fon der Jayen- Presidente e Komisionit Evropian

Komisionari i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi ka thënë se duhet të hapen negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Prandaj, ne duhet të marrim përgjegjësitë dhe vendimet që na çojnë te kjo, çka nënkupton hapjen e parë të konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, hapjen e kapitujve me Serbinë, përshpejtimin e punës tonë që Bosnja dhe Hercegovina të bëhet vend kandidat dhe  heqjen e vizave për kosovarët”- tha Oliver Varhelji- Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel  tha se samiti në Bërdo është një mundësi për një shkëmbim të lirë dhe të hapur të pikëpamjeve “për të parë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm. Kryeministri slloven Jansha, vendi i të cilit kryeson me BE-në tha se edhe pse donin të kishin një afat për zgjerimin nuk arritën të kishin një datë. Ai tha se fillimisht duhet të mbyllen çështjet e hapura mes vendeve.

Përgatiti: Evi Shkopi

 

LEXO EDHE:

Back to top button