Merko nuk paraqitet në gjykatë, qëndroi në mbledhjen e Këshillit të komunës
Merko nuk paraqitet në gjykatë, qëndroi në mbledhjen e Këshillit të komunës

Gazetar: Miki Trajkovski
Në vend që të shkojë në gjykatë, kreu i Strugës Ramiz Merko qëndroi në seancën e Këshillit të komunës. Lënda ka të bëjë me lejen e ndërtimit për një objekt. Ndërkohë Merko sot mori edhe një kallëzim penal për punë të pakujdesshme.
“Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, sot ka qëndruar në Këshillin e Strugës, ku i ka shoqëruar këshilltarët e Strugës, në vend që të paraqitet në Gjykatën Themelore në Manastir, ku procesi gjyqësor për lejen e lëshuar për ndërtimin e objektit, në kuadër të një hoteli këtu në qytet”, raporton Miki Trajkovski, gazetar.
Mirëpo, gjykimi ndaj 11 personave, mes të cilëve i akuzuari i tretë është Merko, i cili ka më shumë se një vit e gjysmë në listën e zezë të SHBA-së, është shtyrë për shkak se avokati i njërit prej të akuzuarve, gjegjësisht pronarit të hotelit, kërkoi shtyrje për shkak se sot ishte i angazhuar në tjetër proces gjyqësor. Mbrojtja e Merkos u paraqit në gjyq.
“Kjo lëndë i është ndarë Gjykatës Themelore në Manastir, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjykatësve në gjykatën tonë të cilët do të mund të vepronin”, njoftojnë nga Gjykata Themelore Strugë.
Bëhet fjalë për një rast, të cilin Prokuroria e Strugës e ka nisur për ndërtimin e paligjshëm të një objekti pranë pishinës së një hoteli në Strugë. Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2019, pronari i një kompanie ka paraqitur kërkesë për rikonstruksionin e pishinës, por ka marrë leje nga Merko për të ndërtuar objekt të tërë. Bëhet fjalë për vepër penale për të cilin dënimi i mundshëm me burg është të paktën 3 vjet.Ndërkohë Merko sot ka marrë tjetër kallëzim penal për “punë të pakujdesshme në shërbim”.
“Ai në cilësinë e kryetarit të komunës së Strugës, më 30.05.2018 dhe 01.04.2024 ka marrë vendim me të cilin A.O. nga fshati Podgorcë i Strugës e ka emëruar nga bibliotekist në drejtor të shkollës fillore të po këtij fshati. I denoncuari R.M. e ka bërë këtë edhe pse e ka ditur se A.O. nuk ka arsim të përshtatshëm dhe nuk i plotëson kërkesat e Ligjit për Arsimin Fillor, nuk ka të paktën pesë vjet përvojë pune në shkollë, nuk e ka dhënë provimin për drejtor brenda afatit të përcaktuar ligjor, nuk ka stazh të praktikës dhe nuk ka poseduar certifikatë përkatëse për njohjen e gjuhës angleze”, thonë nga MPB-ja.
Këto parregullsi janë konstatuar gjatë kontrollit të Inspektorit Shtetëror të Arsimit, më datë 20.06.2024. Tashmë ka rast gjyqësor për Merkon, për këtë shkollë fillore, gjithashtu për emërimin e paligjshëm të drejtorit, si dhe për katër shkolla të tjera. Aktualisht ndaj Merkos ka 8 akuza aktive. Sot u përpoqëm të merrnim qëndrim nga Merko për kallëzimin e ri penal, por nuk deshi të komentonte asgjë. /Alsat.mk