Mesazh kërcënues për bomba në shumë shkolla të Shkupit dhe Kumanovës

Mesazh kërcënues për bomba në shumë shkolla të Shkupit dhe Kumanovës

Gazetar: Adnan Qaili

Mesazhet kërcënuese për bomba bënë që të evakuohen dhjetëra shkolla fillore në Shkup. Ndryshe nga herët tjera, mesazhi i dërguar sot në postat elektronike të shkollave përmbante kërcënime edhe për kryeministrin dhe partinë e tij. Në 8:45 drejtorët me të marr kërcënimet se në shkollat e tyre janë vënë mjete shpërthyese, kanë dhënë urdhër të largojnë të gjithë dhe përveç policisë, në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë anti-terror.

“Edhe një alarm i rrejshëm për bombë në shkollën fillore ‘Kongresi Manastirit’ në Shkup bëri që policia të evakuojë të gjithë personelin dhe nxënësit, me ç’ rast mësimi u ndërpre dhe nuk dihet a do mbahet brenda ditës”, raporton Adnan Qaili, gazetar i Alsat.

“Ne ishim duke mbajtur mësimin por kur ra zilja ne e dëgjuam që ndodhi një panik pastaj drejtori na tha që nxënësit t’i marrin çantat, u rreshtuam që mos të shkaktohet panik edhe në korridor pastaj dolëm të gjithë bashkë. Nxënësit filluan të pyesin çfarë ndodh se kishin frikë edhe ato por ne i qetësuam kur dolën”, u shpreh një arsimtare.

“Për fëmijët është e frikshme, nuk di sa mund të kthehen ato në bankat shkollore pas këtyre kërcënimeve, organet e sigurisë duhet shumë shpejtë të zbulojnë kërcënuesit dhe ata që vërtetë kanë plane të atilla”, tha një prind.

Nga drejtoritë e shkollave thanë se siguria e fëmijëve është në rend të parë, por që orët e humbura do t’i kompensojnë me ditë të tjera gjatë të shtunave, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Arsimit.

“Ky është terror i madh se të luash me ndjenjat e fëmijëve, të punësuarave dhe të gjithë të tjerëve është akt shumë i rëndë. Ne duhet të jemi të përgatitur në raste të tilla ti evakuojmë nxënësit dhe personelin që mos të ndodh ajo që nuk kemi dëshirë askush të ndodh”, deklaroi Faik Gjoni, Drejtor i Sh.F. “Kongresi Manastirit”.

Një perimetër i sigurisë u zbatua edhe në shkollat tjera të kryeqytetit. Edhe pse nuk kanë pajisje alarmi për situata të tilla, disa nga personeli kanë përdorur zilen e shkollës për t’i nxjerr nxënësit nga klasat.

“I evakuuam nxënësit, normalisht që u shkaktua një panik e madhe te fëmijët edhe pse në fillim iu thamë që duhet të dalin jashtë pa panik me shkaqe tjera, por vetë fëmijët kanë parë aktualitetin këto ditë që ka pasur kërcënime për tjerat shkolla dhe vetvetiu kuptuan se dyshohet që ka bomba në shkollën tonë”, theksoi Fitore Qirezi, Drejtoresh e Sh.F. “7 Marsi”.

Përveç në Shkup, alarme të rreme për bomba sot pati edhe në shumë shkolla të Kumanovës si dhe në Gjimnazin “Sami Frashëri” në këtë qytet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button