Tensioni në rritje: Putini akuzon Evropën për përgatitje lufte, SHBA-ja përgjigjet me sanksione të reja dhe tarifa deri në 100%

Presidenti rus akuzoi disa udhëheqës evropianë se po përgatiten për luftë me Rusinë dhe tha se ata po përdorin konfliktin në Ukrainë dhe kërcënimin e supozuar rus për të justifikuar politikat e tyre. Ai kritikoi vendet evropiane për mbajtjen e ushtrimeve ushtarake në Detin Baltik, duke thënë se ato përfshinin përgatitje për të sekuestruar anije civile. Ai tha se Moska do të kundërpërgjigjej nëse do të ishte e nevojshme.

“Rusia nuk ka qëllime agresive ndaj Evropës ose vendeve evropiane. Thjesht nuk ka asnjë arsye për këtë. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe për rivendosjen e marrëdhënieve me fqinjët tanë evropianë. Ata flasin vazhdimisht për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e normave të saj, megjithatë përgatiten të sekuestrojnë anije civile. Le të jetojmë në paqe, përndryshe, edhe ne do të detyrohemi të kundërpërgjigjemi”. Tha Vladimir Putin, President i Rusisë

Putini përshkroi gjithashtu prioritetet për Programin e ri të Armatimit Shtetëror të Rusisë, duke thënë se ai do të përqendrohet në modernizimin e forcave të armatosura dhe industrisë së mbrojtjes, mes asaj që ai e përshkroi si kërcënime globale në zhvillim.

Nga ana tjetër presidenti amerikan Donald Trump, ka firmosur një ligj të ri që vendos sanksione shtesë ndaj Rusisë, duke synuar drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin, zyrtarë të qeverisë së tij, oligarkë dhe institucione financiare ruse. Ligji i ri, i jep presidentit amerikan autoritetin të vendosë tarifa doganore deri në 100% ndaj pesë blerësve më të mëdhenj të naftës dhe gazit natyror rus. Masa pritet të ndikojë veçanërisht Kinën dhe Indinë, të cilat konsiderohen ndër importuesit kryesorë të energjisë nga Rusia.

Projektligji u miratua me mbështetje dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më herët edhe në Senat, megjithëse disa senatorë demokratë shprehën shqetësime për zgjerimin e kompetencave presidenciale në fushën e tarifave tregtare.

Ndërkohë, tensionet në Evropë dhe në frontin e luftës në Ukrainë mbeten të larta. Trafiku ajror në Luksemburg u pezullua përkohësisht gjatë natës për shkak të dyshimeve për aktivitete të paautorizuara me dronë pranë hapësirës ajrore të vendit, por më pas fluturimet rifilluan normalisht. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjatë natës janë interceptuar 344 dronë ukrainas në rajone të ndryshme të Rusisë evropiane, përfshirë zonën e Moskës, Belgorodit, Kurskut dhe rajone të tjera, si dhe mbi Detin e Zi. Situata dëshmon përshkallëzimin e vazhdueshëm të përplasjes mes Rusisë dhe Ukrainës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button