Mesfushori 29-vjeçar austriak Marsel Sabitzer do të luajë me ekipin e Borusia Dortmund sezonin tjetër. Sipas mediave gjermane, skuadra e Bajern Munihut ka rënë dakord si me lojtarin ashtu dhe me Dortmund për transferimin e Sabitzer për vlerën e 20 milionë eurove.
Edhe muajt e fundit të sezonit të kaluar mesfushori luajti larg Munihut, pasi Bajerni e huazoi te Man. Junajted. Trajneri Tomas Tushel dhe skuadra bavareze nuk e konsiderojnë Sabitzerin të rëndësishëm në planet e tyre, ndaj dhe kanë vendosur ta shesin.
Ky është një transferim përfundimtar për Sabitzer, që asnjëherë nuk pati një marrëdhënie të mirë me bavarezët, ekip ku erdhi në vitin 2021 (54 ndeshje dhe 2 gola). Te Borusia e konsiderojnë një transferim me vlera, pasi besojnë te përvoja e lojtarit austriak.








