Mesi i sinqertë: Nëse humbisja në Katar, do të largohesha nga kombëtarja
Sulmuesi argjentinas Lionel Messi ka zbarkuar në Amerikë, ku do të vijojë karrierën e tij me skuadrën e Inter Majami. Në pritje të prezantimit të tij ditën e diel, “pleshti” ka rrëfyer një sekret. Ai kishte vendosur të tërhiqej nga kombëtarja, nëse do të dështonte edhe në Botërorin “Katar 2022”, ku ai u shpall kampion.
“E kam shijuar të gjithë rrugëtimin tim në Botërorin, sikur nuk kisha luajtur kurrë më parë në atë turne. Kjo edhe për faktin se e dija që mund të ishte hera e fundit që luaja në Kupën e Botës. Ndaj, të jem i sinqertë, nëse nuk do të fitoja Botërorion nuk do të luaja më me ekipin kombëtar”, rrëfen Messi për “Beanyman Sports”.
“Tani që jam kampion bote nuk mund ta lë kombëtaren. Më pëlqen ta shijoj këtë gjë. Gjatë Botërorit isha i qetë dhe i bindur te skuadra që kisha, pasi ishim përgatitur mirë. Tani do të luaj në Amerikë, ndaj mentaliteti im nuk do të ndryshojë. Do të përpiqem të jap sërish më të mirën time, për veten dhe klubin ku do të luaj”, tha Messi.







