Mësimi në shkolla, me mungesë librash

Mësimi në shkolla, me mungesë librash

Gazetare: Melihate Rustemi

Shumë nxënës të arsimit fillor po vazhdojnë të zhvillojnë procesin mësimor pa libra në lëndë të caktuara. Sipas nxënësve të anketuar për Alsat, mungesë më e madhe vërehet në lëndët: gjuhë shqipe, gjuhë gjermane, gjuhë angleze, gjeografi e shumë të tjera. Për të mos humbur nga mësimi nxënësit marrin më shumë shënime dhe huazojnë librat e njëri tjetrit.

“Po, ka pas mungesë të librave të ndryshëm dhe më shumë mungesë të faqeve. Në matematikë ka pas, në kimi kanë ardhur disa libra të reja por disa janë edhe të vjetra. Në gjuhën shqipe, në gjermanisht shumica nuk kemi libra dhe në gjeografi”, tha një nxënëse.

“Matematika, kimia, fizika, gjermanishtja, gjeografia, gjuhë shqipe. Të gjitha këto libra më mungojnë. Tash po marrim shënime më shumë…Ke bë fotokopje ndonjë libër? Jo, ende jo por duhet me bë, sigurisht pa detyrimin e mësimdhënësve”, shtoi një tjetër nxënëse.

Disa nga nxënësit thanë se tashmë po shfrytëzojnë edhe librat elektronik përmes faqes së internetit e-ucebnici.mon.gov.mk

“Unë për vete i kam të gjitha librat por dikush që nuk ka libra i ndihmojmë përmes internetit dhe faqes së internetit e-ucebnici, aty mund t’i gjejmë të gjitha librat, mund të mësojmë edhe prej aty”, u shpreh një nxënëse.

Në shkollën fillore “Vasill Gllavinov” në Çair biseduam me mësuesen e gjuhës angleze Lumturije Lecaj. Përveç që mungojnë librat në këtë lëndë, ato edhe nuk përputhen me konceptin e ri mësimor.

“Kemi libra mirëpo nuk kemi mjaftueshëm për aq sa ka nxënës dhe e dini që çdo vit librat përcillen prej gjeneratave të kaluara, disa dëmtohen, disa ju mungojnë fleta kështu që nxënësit kanë problem me libra. Është edhe një tjetër problematikë për shkak se librat e gjuhës angleze janë me program të vjetër ndërsa konceptin e ri duhet të ketë libra të tjerë të cilat ende nuk i kemi marrë. Ju sugjeroj nxënësve që edhe përmes internetit të hulumtojnë pasi që…lënda është e përgjithshme që munden me marrë gjithçka edhe nga interneti”., deklaroi Lumturije Lecaj, mësimdhënëse SH.F “Vasill Gllavinov”.

Përveç mungesës së librave nxënësit përballen edhe me libra të dëmtuar thuajse në çdo shkollë të vendit. Nga Ministria e Arsimit përsëritën qëndrimin se shkollat janë furnizuar me libra në bazë të numrit që kanë kërkuar paraprakisht. Gjithashtu, nga ky dikaster thanë se po vazhdon procesi i botimit të librave të reja./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button