Mësohet se përse dështoi transferimi i Florian Virtzit te Real Madridi

Florian Virtz ishte një nga emrat më të përfolur gjatë merkatos së verës, me një kalim të mundshëm te Real Madrid. Megjithatë, pavarësisht kontakteve dhe tentativave, marrëveshja nuk u realizua. Në podkastin “Phrasenmaher” të “Bild”, agjenti i tij Volker Strut zbuloi prapaskenat e negociatave. Ai tregoi se, në kohën kur po shqyrtohej një transferim te Liverpulli ose Bajern Munihu, kishte kontaktuar drejtpërdrejt me Çabi Alonson.

“I thashë: ‘Duhet ta marrësh djalin nga Leverkuzeni me vete te Reali’. Çabi m’u përgjigj: ‘Nuk ke pse të ma thuash mua këtë, duhet t’ia thuash Florentino Perezit’”, rrëfeu Strut.

Mesfushori ofensiv, i cili në atë kohë ishte pjesë e Bajer Leverkuzen, u këshillua nga prindërit e tij, ndërsa ruante një partneritet marketingu me agjencinë “Sports360” të Strutit.

Ky i fundit tentoi të shfrytëzonte marrëdhëniet e afërta me lojtarin dhe familjen e tij për të hapur derën e një transferimi në “Santiago Bernabeu”. Megjithatë, presidenti Perez nuk e mbështeti idenë. Ai iu përgjigj me kujdes mesazhit të agjentit, duke e referuar te drejtori i përgjithshëm Hoze Anhel Sançez.

Sipas raportimeve, Real Madridi nuk ishte në gjendje financiare për ta përballuar operacionin gjatë asaj vere. Në fund, Virtz përfundoi te Liverpulli për një shumë që tejkalon 125 milionë euro, duke i dhënë fund një sage transferimi që mund ta kishte çuar në kryeqytetin spanjoll, por që mbeti vetëm një mundësi e parealizuar.

LEXO EDHE:

Back to top button