Messi shkruan histori në MLS
Messi shkruan histori në MLS

Askush deri më tani nuk kishte arritur të shënonte dopietë në katër ndeshje radhazi në MLS, derisa erdhi Lionel Messi. Kush tjetër veç tij mund të siguronte një vend të tillë në librat e historisë?
Pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube, Lionel Messi është rikthyer me Inter Miamin në përditshmërinë e kampionatit të MLS. Dhe aty vazhdon spektaklin, sërish me dy gola, duke sjellë një risi absolute në futbollin amerikan.
Në fitoren 2:1 të Inter Miamit kundër New England Revolution, ylli argjentinas shënoi që të dy golat në pjesën e parë. Kështu, për herë të katërt radhazi, Messi realizon nga dy gola në një ndeshje të MLS-së, diçka që askush nuk e kishte bërë më parë.
Seria e tij filloi në fund të majit me një dopietë kundër CF Montreal. Më pas vijoi me dy gola ndaj Columbus Crew, dy të tjera pas Kupës së Botës për Klube sërish ndaj Montrealit, dhe tani në Boston ka shënuar golat e tij të 13-të dhe 14-të për këtë sezon në MLS. Vetëm Sam Surridge nga Nashville SC ka më shumë – 16 gola – por në gjashtë ndeshje më shumë se Messi.