Metodologjia e regjistrimit të popullsisë, autoritetet e vendit të shurdhëta ndaj rekomandimeve evropiane
Metodologjia e regjistrimit të popullsisë, autoritetet e vendit të shurdhëta ndaj rekomandimeve evropiane

Gazetar: Suad Bajrami
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin Metodologjisë për Regjistrimin e Popullsisë iu abroguan dispozitat për ndarjen e shtetasve në rezident dhe jo rezident ka hapur debatin se sa Maqedonia e Veriut është e gatshme të zbatojë regjistrim të popullsisë që i plotëson standardet evropiane. Shteti, ndër vite mban statusin e përgatitjes mesatare, duke arritur disa përmirësime, por ana tjetër e medaljes tregon që në fakt, ndër vite rekomandimet e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut çdo vit përsëriten, pasi që nuk zbatohen nga autoritetet vendase.
Në raportin e progresit për vitin 2022, KE-ja thekson që po i përsëritë rekomandimet e vitit paraprak pasi që të njëjtat nuk janë realizuar e ato janë: Të publikohen të gjitha rezultatet e regjistrimit të popullsisë që është realizuar në vitin 2021, por edhe të sigurohet personel dhe burime financiare të mjaftueshme për Entin Shtetëror të Statistikave. KE gjithashtu kërkon që të përmirësohet fushëveprimi dhe cilësia e të dhënave të statistikave makroekonomike dhe sociale, ndërsa në veçanti, duhet të vazhdojë të përafrojë llogaritë financiare dhe llogaritë kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010.
Një vit më vonë, ndonëse Komisioni Evropian thur disa fraza “shpresëdhënëse” se vendi po bën progres në fushën e statistikave, megjithatë theksohet nevoja për të përmirësuar fushëveprimin dhe cilësinë e të dhënave që mbështesin statistikat makroekonomike dhe sociale. Maqedonia e Veriut, vazhdon të vlerësohen me “mesatarisht e përgatitur”, ndërsa i rikujton autoritetet e vendit që duhet të bëjë regjistrimin e bujqësisë, ndërsa e përsërit me ton më të ashpër rekomandimin që ndër vite nuk plotësohet, duke theksuar që urgjentisht duhet të sigurohet personel dhe burime të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave. Pos kësaj, përsëritet dhe rekomandimi i raportit paraprak ku thuhet se Maqedonia duhet të përmirësojë statistikat makroekonomike, ndërsa përsërit edhe përfarimin e llogarive financiare dhe kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010.
Se Maqedonia e Veriut ka qenë e shurdhër ndaj rekomandimeve të Komisionit Evropian për përmirësimin e standardeve në fushën e statistikave, tregon edhe raporti i fundit, respektivisht i vitit 2024, në të cilin janë vendosur “copy paste” rekomandimet e viteve paraprake. Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të autoriteteve evropiane, vendi ende nuk e ka kryer regjistrimin e bujqësisë, ndërsa nuk është marrë parasysh vërejtja për mungesën e personelit dhe financave të Entit Shtetëror të Statistikave.
Gjithashtu, sërish përsëritet edhe nevoja e përmirësimit të statistikave makroekonomike, ndërsa ashtu si në raportet e mëparshme kërkohet që të përafrohen llogaritë financiare dhe llogaritë kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010.
Rikujtojmë që Gjykata Kushtetuese, anuloi disa dispozita të Metodologjisë së Regjistrimit të Popullsisë pasi me të njëjtat u nda popullata në rezident dhe jorezident. Pas mbarimit të regjistrimit, Eurostat ishte përgjigjur asokohe se pavarësisht që metodologjia e regjistrimit të popullsisë në vitin 2022 mund të ketë qenë në shumicën e saj e përshtatshme me BE-në, Maqedonia e Veriut nuk ka qenë e obliguar për një gjë të tillë për aq kohë sa është vend kandidat dhe jo me qasje të plotë në BE. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili ka ardhur mbi bazën e vlerësimit juridik të gjykatësve, dy drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikave në përpilimin dhe fuqizimin e Metodologjisë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe në këtë veprim ka indikacione për vepër penale. /Alsat.mk