Mexhiti: Balancuesi do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Mexhiti: Balancuesi do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Gazetar: Suad Bajrami

Zëvendëskryeministri i ardhshëm nga radhët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti tha se instrumenti i cili mundëson dhe mban llogari për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të përkatësive etnike në institucionet shtetërore, apo i njohur si balancuesi, do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sipas Mexhiti ky mekanizëm në vitet e fundit nuk ishte efikas.

“E para, bashkërisht do të konstatojmë që balancuesi nuk ka funksionuar viteve të fundit. Pra, në fillim ka dhënë efektet e duhura, mirëpo vitet e fundit ka dhënë kundërefekt. E dimë se ka pasur shumë raste kur maqedonasit janë paraqitur si shqiptarë ose shqiptarët si turq. Pra nuk ka qenë në funksionin për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë në Maqedoni. Kështu që, këtu pajtohemi. Dhe nuk po degradohet, por po ngritet në nivel më të lartë. Pra, kjo të rregullohet me ligj që të jetë normë ligjore përfaqësimi adekuat dhe kualitativ”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.

Shfuqizimi i balancuesit, tanimë është edhe pjesë e propozim-programit qeveritar, i cili pritet të votohet në Kuvend gjatë fundjavës.

“Duke e respektuar parimin kushtetues për përfaqësim përkatës dhe të drejtë të qytetarëve të cilët u përkasin të gjitha komuniteteve në Maqedoni, Qeveria do ta ndryshojë rregullativën ekzistuese, me qëllim të lëshimit të veglës “balansues” gjatë punësimit. Në këtë mënyrë, fillimisht do të respektohen cilësitë personale, profesionale, kompetenca dhe sistemi i meritokracisë gjatë punësimit në institucionet shtetërore”, thuhet në Propozim-programin e Qeverisë.
.
Fronti Evropian, kundërshton shfuqizimin e balancuesit, duke vlerësuar se goditet Marrëveshja e Ohrit.

“Paralajmërimi i fundit i mandatarit Hristijan Mickoski për heqjen e mekanizmit të Balancuesit, është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, si një nga shtyllat kryesore për stabilitetin e shtetit dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend”, njoftojnë nga Fronti Evropian.

Debati për shfuqizimin e Balancuesit erdhi si rezultat i deklarimit të rrejshëm të përkatësisë etnike nga ana e qytetarëve, me qëllim për t’u punësuar. Mickoski, paraprakisht ka deklaruar se shfuqizimi i këtij instrumenti, madje është dhe rekomandim i Bashkimit Evropian. Megjithatë, Avokati i Popullit, Naser Ziberi për Alsat deklaroi se megjithatë balancuesi nuk duhet të hiqet tërësisht, por të avancohet ose të zëvendësohet me ndonjë instrument tjetër. Qëllimi kryesor i këtij instrumenti qe bazohet në Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutë është që të parandalojë diskriminimin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button