Mexhiti porosi Ahmetit: “Për një plesht nuk digjet jorgani”

Mexhiti porosi Ahmetit: “Për një plesht nuk digjet jorgani”

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ahmeti të mos e djegë jorganin për një plesht, porositi i ashtuquajturi grupi i zjarrit nga takimi me qytetarët në Studeniçan. Sipas tyre, ministrat aktual të BDI-së nuk kanë ardhur me vota të qytetarëve dhe për shkak të dështimeve, i plotësojnë kushtet për të ikur. Nga BDI-ja nuk janë përgjigjur zyrtarisht, por një video në të cilën shihet Ahmeti se si interpreton një këngë, është kuptuar si reagim ndaj këtij takimi.

“Ne jemi me Ali Ahmetin, kemi qenë dhe do mbesim me Ali Ahmetin por porosia nga këto është porosi miqësore nga ne që mos ta djegë jorganin për një plesht ose për disa pleshta”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Kjo ishte porosia kryesore e thënë në mbyllje të takimit të parë që i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” organizoi me qytetarët, pasi kërkesat e tyre nuk zunë vend në parti. Gjatë qëndrimit në Studeniçan ata thanë se do të vazhdojnë konsultimet me qytetarët që i mbështesin për të determinuar rrugën që duhet të ndjekin. Kërkojnë nga kreu i partisë Ahmeti shkarkimin e ministrave të partisë së tyre për shkak se konsiderojnë se kanë dështuar në realizimin e projekteve të premtuara.

“Ky ekzekutiv ka ardhur pa vota të qytetarit, ka ardhur pa vota të këshillit të përgjithshëm partisë dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk kanë realizim as në infrastrukturë, as në përfaqësim adekuat, as në gjuhën shqipe, as në decentralizim dhe as në ndonjë segment tjetër. Pra, i plotësojnë të gjitha kriteret për të shkuar dhe për të ardhur djem dhe vajza të reja. Ne duam që të përmirësohemi para se të na përmirësojë populli. Kur të na përmirësojë populli do të jetë vonë”, u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

“Nuk jemi për ata të cilët kanë ardhur në BDI dhe për interesa të veta personale, duke afirmuar vetveten, duke reklamuar vetveten dhe duke mos bërë asnjë punë në të mirën e qytetarëve mundohen që ta përçajnë anëtarësinë dhe t’i dëshpërojnë votuesit shqiptarë”, tha Nevzat Bejta, BDI.

Nga BDI-ja nuk kanë reaguar zyrtarisht për aktivitetin e këtyre anëtarëve të partisë të cilët janë dhe pjesë e Këshillit të përgjithshëm, nënkryetarë e sekretarë. Por një video e publikuar në rrjetet sociale fillimisht nga zv/kryeministri i parë Artan Grubi dhe pastaj e shpërndarë në shumë profile të tjera, u kuptua si një reagim i mundshëm.

“T’hupi rroja (rrënja), t’hupi fara, tuk se i dole Keqës përpara”

Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button