Mexhiti: S’ka rezultate nga fryma artaniste

Mexhiti: S’ka rezultate nga fryma artaniste

Gazetare: Fatlume Dervishi

Nga BDI-ja thonë se për disa muaj do të kemi kryeministrin e parë shqiptar. Ministri i Jashtëm dhe zëdhënësi i partisë Bujar Osmani e rikujtoi këtë premtim në mesin e zotimeve të realizuara, gjatë takimeve me mbështetësit në Shkup. Grupi i Zjarrit vlerëson se shqiptarët kanë arritur përfaqësim të lartë nëpër pozita por aspak rezultate në realizimin e projekteve.

“Kemi qeveri në të cilën për disa muaj do të presim kryeministrin e parë shqiptar”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Ky është premtimi të cilin zyrtarë të lartë të BDI-së vazhdojnë ta japin para mbështetësve të tyre në takime. Mes arritjeve për përfaqësim të drejtë, ata e numërojnë edhe kryeministrin e parë shqiptarë, gjë e cila, siç kanë thënë, do të duhet të realizohet 100 ditë para zgjedhjeve. Kryeministrin e parë shqiptarë, i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” brenda BDI-së e numëron në mesin e premtimeve të parealizuara.

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti i cili i paraprin grupit të të pakënaqurve, gjatë takimit me banorët e Treboshit në Pollog, tha se pavarësisht se drejtojnë me poste të rëndësishme, nuk ka rezultate nga funksionarët e BDI-së në qeveri.

“Pollogun e humbëm gati tërësisht, me Artanin dhe Artanat, që ka krijuar frymën “artaniste” mes ministrave dhe aktivistët, dhe sillen me ne më keq se me opozitën. Shqiptarët kanë pozita si asnjëherë më parë, me kryetar parlamenti, e gjysmën e ministrave, me 80 përqind të resorëve ekonomike, ndërsa efekt nuk ka. Investime nuk ka, asnjë iniciativë nuk ndërmerr Artan Grubi drejt decentralizimit, drejt përforcimit të gjuhës shqipe, nuk dënohen institucionet që nuk e zbatojnë atë. Investime kapitale nuk ka, rrugë nuk ka në vendbanime shqiptare. Flet për korridorin 8-të, ndërsa Shkup-Bllacë dy kilometra nuk janë bërë”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Azdisje dhe lazdrim e quan zv/kryeministri i parë Artan Grubi kërkesën e “grupit të zjarrit” dhe kërkon prej tyre të marrin shembull kryetarin e tyre Ahmetin.

“Tani kur po arrijmë nivelin më të lartë të qeverisjes të një bashkimi shqiptar po azdisemi, po lazdrohemi, po themi hiqe njërin, vendose tjetrin. Gjynah është deri te Zoti vallahi, gjynah është për secilin prej nesh, prej jush, e mos të flasim për Ali Ahmetin. Kur pat bre Ali Ahmeti pozitë? Kur deshi bre ai me u bë kryetar parlamenti, apo kryeministër a president shteti? Figura e tij është për president të shqiptarisë. Por kur lakmoi ai? “Hiqe Talatin se unë duhet të vij këtu! Hiqe Artanin se vendi im është ai!”, deklaroi Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Grubi dhe funksionarët e BDI-së që qëndrojnë pas tij takuan banorët e Shkupit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button