Michel: BE-së i duhet një politikë më efektive

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel bëri thirrje për një diskutim të gjerë panevropian për të gjetur mënyrat se si Bashkimi Evropian mund të bëhet më vendimtar dhe më efektiv pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në arenën ndërkombëtare.
Në një letër, Charles bëri thirrje për “një diskutim strategjik mbi rolin e Bashkimit Evropian në skenën ndërkombëtare në dritën e zhvillimeve të fundit në Afganistan, partneritetin e ri të sigurisë AUKUS dhe evolucionin e marrëdhënieve me Kinën”.
Ai kërkon një diskutim strategjik mbi rolin e BE -së në skenën ndërkombëtare kur udhëheqësit të takohen të martën e ardhshme, më 5 tetor.
”Për të mbrojtur interesat dhe vlerat e tij, Bashkimi Evropian duhet të rrisë kapacitetet për veprime më të pavarura”, theksoi Charles.
Anëtarët e Bashkimit Evropian kohët e fundit mbetën të habitur kur zbuluan se SHBA kishte negociuar një aleancë të re me Britaninë e Madhe dhe Australinë, e njohur si AUKUS, pa përfshirë Brukselin.
Parisi u zhgënjye veçanërisht, pasi Franca humbi një kontratë nëndetësesh bërthamore me vlerë 66 miliardë dollarë, pasi tani Kanberra do të blejë nëndetëse me energji bërthamore nga SHBA.
Shumë kritikojnë gjithashtu se tërheqja e Uashingtonit nga Afganistani tregoi se SHBA u shqetësua pak për interesat e partnerëve evropianë të përfshirë në vendin e shkatërruar nga lufta.
Evropa është edhe më hezituese kur është fjala për rritjen e tensioneve midis SHBA dhe Kinës, me Uashingtonin që i bën thirrje BE-së të mbështesë një qasje më konfrontuese.
Një samit me shtetet e Ballkanit Perëndimor është planifikuar gjithashtu të mërkurën për të diskutuar perspektivat e anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës./ ATA