Mickoski bën plane për Inspektoratin e Gjuhëve/ BDI nuk mbështet ndryshimet ligjore
Mickoski bën plane për Inspektoratin e Gjuhëve/ BDI nuk mbështet ndryshimet ligjore

Gazetar: Suad Bajrami
Qeveria po shqyrton plane për të zgjidhur problemin në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve pasi që për shkak të mungesës së harmonizimit të ligjeve, punëtorët tanimë gjashtë muaj nuk marrin paga. Kryeministri, Hristijan Mickoski, tha që bllokada nga opozitës është e paprecedentë, megjithatë ai tha se do të ketë zgjidhje.
“Normalisht se mendojmë për plane. Nëse nuk bëhet kështu do të jetë ashtu, nëse nuk bëhet ashtu do të ketë plan të tretë. Kështu që është normale… Shiheni, nuk mundemi njerëzit t’i lëmë pa rroga. Nëse dikush atje prej opozitës shqiptare ose në përgjithësi opozita ka vendosur të gëzohet në fatkeqësi, atë nuk mund ta lejojmë. Ne jemi qeveri dhe jemi qeveri e të gjithë qytetarëve dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë kjo të tejkalohet”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Por nga BDI-ja nuk ndihen fajtorë për mungesën e rrogave dhe paralizimin e Inspektoratit i cili duhet të mbikëqyrë zbatimin e gjuhës shqipe nëpër institucione. Deputetja Rina Ajdari, rikujton se shumica parlamentare, nëpërmjet ndërhyrjeve në Ligjin për Inspektoratin, dëshiron të shfuqizojë dhe një nen të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Me këtë ligj, me nenin 12 në mos gaboj kërkon të ndërhyhet të preket Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Ligj i cili është rregulluar me Kushtetutë, pra është ligj i posaçëm që rregullon përdorimin e gjuhëve zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Është një ligj i cili ka dalë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Në qoftë se të dy palët edhe VMRO-DPMNE edhe VLEN dakordohen që ky nen të hiqet, atëherë jemi në rregull”, deklaroi Rina Ajdari, deputete e BDI-së.
Kaosi në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve tanimë një periudhë të gjatë është në qendër të vëmendjes, pasi ndryshimet e disa ligjeve vendosën në një pozitë absurde juridike këtë institucion. Respektivisht me dy ligje ka person juridik, ndërsa me një tjetër nuk ka. Për këtë, mazhoranca dorëzoi ndryshime të Ligjit për Inspektoratin e Gjuhëve por u bllokuan në Kuvend pasi nuk ka shumicë Badinteri.
Punëtorët, të cilët gjashtë muaj nuk kanë marrë rroga dhe nuk kanë sigurim shëndetësor e pensional, muajin e kaluar publikisht kërkuan nga institucionet që të zgjidhin problemin pasi kjo gjendje i shpie në pasiguri sociale, luftë ekzistenciale dhe zhvlerësim të punës dhe dinjitetit të nëpunësit. /Alsat.mk