Mickoski: Do të hetohen rastet që kanë ndodhur vitet e kaluara

Mickoski: Do të hetohen rastet që kanë ndodhur vitet e kaluara

Gazetar: Suad Bajrami

Mandatari Hristijan Mickoski, paralajmëroi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të jenë prioritet i qeverisë së ardhshme, ndërkaq do të hetohen rastet që kanë ndodhur në vitet e kaluara. Në lidhje me reformat në gjyqësor, Mickoski porositi se duhet të rikthehet besimi i qytetarëve në organet e drejtësisë.

“Pozitën tonë e dini në lidhje me punën e Këshillit të Prokurorëve dhe Gjyqësor. Ky nuk është vetëm pozicion i yni, por edhe i qytetarëve të cilët në mendimet publike dhe anketat japin vlerësim i cili është njëshifror në përqindje. Shpesh, edhe më pak se 5%. Mund të them se nëse ajo gjendje vazhdon, dhe ai perceptim vazhdon, gjegjësisht i pandëshkueshmërisë, amnistimit politik e kështu me radhë, atëherë njëkohësisht gjithçka që kemi premtuar do të jetë një moçal politik dhe gënjeshtër”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në ndërkohë, partitë e koalicionit VMRO, VLEN dhe ZNAM kanë një listë të gjatë të premtimeve të bëra para qytetarëve. Pasi të votohet qeveria, duhet të shihet se cilat prej tyre janë inkorporuar në programin e qeverisë.

Sipas propozimit të mandatarit Mickoski, ministër i ardhshëm i Drejtësisë do të jetë Igor Filkov nga Lëvizja ZNAM. Në programin e kësaj partie, është premtuar se do të vendoset masë të mos vjetrohen veprat penale për korrupsioni. Gjithashtu, kanë premtuar se do të angazhohen që të rikthehen dispozitat e shfuqizuara të Kodit Penal dhe të rriten dënimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE paralajmëron shpërndarjen e këshillave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rizgjedhjen e anëtarëve të rinj nga Kuvendi dhe presidenti, nëpërmjet një procedure transparente dhe publike. Kjo, ka shkaktuar një valë reagimesh nëse kjo masë është e nevojshme, apo e dëmshme.

Kur është fjala te reformimi i Këshillit Gjyqësor, i cili në vazhdimësi është në shënjestër të kritikave për politizim dhe partizim edhe VLEN ka premtuar se do të ndërmarrë hapa për të rikthyer besimin në trupin që zgjedh gjyqtarë. Në programin e tyre, VLEN ka premtuar që do të formojnë trup të përkohshëm me ekspertë të vendeve evropiane, të cilët do të integrohen në këshillat prokurorial dhe gjyqësor me detyrë që ta monitorojnë punën e tyre.

Partia e Hristijan Mickoskit, por edhe partneri i tyre VLEN, parashikojnë që nëpërmjet ligjeve të kufizojnë mundësinë për partizim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkaq do të kërkohet llogari për ata që do të shkarkohen për punë të pandërgjegjshëm.

Sipas programeve, VMRO e VLEN do të kërkojnë më shumë transparencë nga këshillat për zgjedhjen, avancimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, ndërkaq transparenca premtojnë se do të rritet edhe nëpërmjet digjtializimit të gjykatave.

Pos kësaj, VMRO-DPMNE-ja, ka paralajmëruar se reformat do t’i bëjë edhe nëpërmjet miratimit të ligjeve të reja për Procedurë Penale, Gjykata dhe Prokurori, por edhe sjelljen e Kodit të ri Penal.

Derisa VMRO-DPMNE-ja premton se do ta rishqyrtojë punën e ish Prokurorisë Speciale, por edhe do të hetojë pasurinë e gjyqtarëve dhe Prokurorëve, VLEN, ka premtuar masë ambicioze për veting, të cilën, mbase shumë parti deri më tani e kanë premtuar, por nuk e kanë realizuar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button