Mickoski e ka lexuar letrën: Ahmeti kërkon të ushtroj ndikim te gjykatësit
Mickoski e ka lexuar letrën: Ahmeti kërkon të ushtroj ndikim te gjykatësit

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kryeministri Hristijan Mickoski e ka pranuar dhe e ka lexuar letrën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti.
Ai tha se Ahmeti kishte kërkuar prej tij të ushtrojë ndikim tek gjykatësit kushtetues për lëndën e ligjit të gjuhëve, duke i akuzuar fillimisht gjykatësit se zbatojnë programin e VMRO-DPMNE-së
“…se është i shqetësuar për lëndën që lidhet me ligjin e gjuhëve dhe të intervenoj unë tek gjykatësit kushtetues të zgjedhur nga LSDM-ja dhe BDI-ja, që të kenë kujdes se çfarë bëjnë sepse mund ta destabilizojnë shtetin. Le të vlerësojë opinioni nëse kjo Meriton koment. Ka kaluar koha kur politikanët kanë mundur dhe kanë dashur të ndikojnë në vendimet e gjykatësve dhe prokurorëve. Unë e kuptoj se BDI-ja është akoma në atë perimetër dhe përmes asaj optike që shikojnë ata, duhet të funksionojmë edhe ne në shtet. Unë nuk mendoj ashtu. As në mendje nuk më shkon çfarëdo komunikimi, veçanërisht me gjykatësit kushtetues ose cilëtdo gjykatës dhe prokurorë të zgjedhur nga ish shumica LSDM-BDI”, tha kryeministri.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti një ditë më parë I kishte shkruar kryeministrit Mickoski duke e paralajmëruar se çdo prishje e raporteve ndëretnike mundet seriozisht të ketë pasoja mbi kohezionin e brendshëm në shtet.
Ai më herët u kishte shkruar edhe diplomatëve, ish diplomatëve dhe liderëve ndërkombëtar për të njëjtat shqetësime rreth shfuqizimit të balancuesit dhe lëndës për ligjin e gjuhëve.
Ish-diplomati amerikan dhe profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Daniel Server, ka komentuar letrën që Ahmeti ia ka dërguar edhe atij. Server thotë se për problemet që Ahmeti përmend në letër duhet t’i vendosin qytetarët e Maqedonisë, e jo dikush nga jashtë.
“Qëllimi i letrës është të gjenerojë veprime nga SHBA dhe BE. Nuk kam asnjë dyshim për çështjen e gjuhës. Marrëveshja e Ohrit është e qartë në këtë temë. Është e nevojshme që çdo gjuhë e folur nga më shumë se 20% e popullsisë të jetë zyrtare bashkë me gjuhën maqedonase. Nuk e kuptoj se si mund ta vini në pikëpyetje këtë detyrim pa krijuar më shumë probleme sesa që tashmë ka Maqedonia e Veriut. Kjo ishte një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së paqes të vitit 2001 dhe është e rëndësishme të ruhet”, thuhet në reagimin e Daniell Server, ish diplomat amerikan, profesor.
Sa i takon balancuesit, Server thotë se nuk është adhurues i kuotave megjithatë mosdeklarimi i përkatësisë etnike nuk do të ndalojë punësimet në baza etnike. Sipas tij, emrat tregojnë kush cilës përkatësie etnike i takon.
Administrata, thotë ai, duhet të pasqyrojë diverzitetin etnik kurse shqiptarët kanë përparësi gjatë kualifikimeve meqë njohin dy gjuhë. Server është ekspert dhe njohës i zhvillimeve në Ballkan. / Alsat.mk