Mickoski i zemëruar me Eurodeputetët
Mickoski i zemëruar me Eurodeputetët

Pas miratimit të raportit në Parlamentin Evropian, kryeministri Hristijan Mickoski mbajti konferencë për shtyp nga shtabi i partisë, nën petkun e liderit të VMRO-DPMNE-së. Mickoski, shprehu keqardhje për votimin e sotëm duke theksuar se me këtë dëshmohet se qëllimi i Bullgarisë nuk është që të futen disa qindra bullgarë në Kushtetutë, por të zhdukë identitetin dhe gjuhën maqedonase. Mickoski, theksoi se nuk do të lëshojë pe nga linjat e kuqe të cilat kanë të bëjnë me interesat kombëtare të shtetit në raport me Bullgarinë, ndërsa premtoi se me Bashkimin Evropian do të vazhdojë të bashkëpunojë në aspektin e reformave.
“Ne i respektojmë fqinjët tanë dhe ashtu do të vazhdojmë edhe më tej, edhe kur kështu do t’i kapim të gjallë. Nëpërmjet dialogut do të mundohemi të gjejmë zgjidhje, por pa na respektuar asgjë nuk do të arrijnë. Dhe ky është gabimi kyç i fqinjit tonë në marrëdhëniet me ne. Kur do të fillojnë të na respektojnë, atëherë do të jenë më të afërt dhe miq më të mirë, por deri atëherë do të flasim me ata dhe të gjithë me gjuhën e argumenteve. Nuk e kam me rëndësi kurrfarë karriere politike, nuk ka asgjë më të rëndësishme dhe të shenjtë se interesat maqedonase. Dua të theksoj dhe populli ynë të jetë i qetë se nuk do të lejojmë të ndodh tradhti e re. Nuk do të lejojmë të lëshohet pe nga interesat kombëtare maqedonase dhe ky është betim që VMRO e ka në kodin e saj”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër./Alsat.mk