Mickoski kërkon duel televiziv me Kovaçevskin: Të themi gjithçka para opinionit

Mickoski kërkon duel televiziv me Kovaçevskin: Të themi gjithçka para opinionit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Jo grupe pune por debat televiziv, kërkon kreu i opozitës Hristijan Mickoski për të elaboruar pikëpamjet për ndryshimet kushtetuese, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Thirrja e tij vjen dhjetë ditë pas takimit të liderëve, pas të cilit palët kanë dhënë ofertat e tyre por nuk kanë komunikuar më, përveç me qëndrime në media.

“Ai njëri është frikacak, është i kidnapuar në qeverinë e tij frikësohet të shkojë në zgjedhje, frikësohet të shkojë në debat televiziv, kështu është rrethi politik i këtyre njerëzve. Përveç që do të jenë edhe pak aty ku janë, nuk pres ndonjë kreativitet. Një herë frikacak, gjithë jetën frikacak. Që të mos dalë që thamë kështu ose thamë ashtu në takimet e grupeve të punës ose në takimet e liderëve, ja të themi çfarë kemi për thënë para opinionit dhe populli le të gjykojë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por kryeministri nuk pranon përballje televizive me Mickoskin për momentin. Nga partia e tij thonë se zgjidhja do të kërkohet në grup pune.

“Kryeministri Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski tashmë kanë pasur takim liderësh në të cilin është biseduar për gjithçka dhe më pas gjithçka u prezantua para opinionit. Tani është koha të fillohet me punë dhe të ndërpriten bllokimet sepse humbim kohë. Maqedonia duhet të sjellë vendim për të ardhmen e saj evropiane dhe prandaj është e nevojshme të vazhdojë dialogu përmes grupeve të punës. Në vend të TV dueleve të panevojshme e ftojmë VMRO-DPMNE-në ta mbajë premtimin e saj dhe të caktojë përfaqësuesit e saj në grupin e punës”, deklaroi Darko Kaevski, LSDM.

Përballjet televizive u bënë të zakonshme mes Mickoskit dhe ish kryeministrit Zaev por kryeministri aktual Kovaçevski nuk ka pranuar asnjëherë të dalë përpara kreut të opozitës Mickoski në duel televiziv. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button