Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme: S’ka shumicë për ndryshimet kushtetuese
Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme: S’ka shumicë për ndryshimet kushtetuese

Gazetare: Fatlume Dervishi
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se me mosvazhdimin e seancës për ndryshimet kushtetuese, pushteti pranon se nuk i ka votat e nevojshme për miratimin e tyre. Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski thotë se dalje nga situata paraqesin vetëm zgjedhjet e parakohshme.
“Kanë kaluar tashmë 10 ditë që kur Talat Xhaferi e hapi seancën për ndryshimet kushtetuese, u votua edhe për rendin e ditës dhe ishte e qartë se nuk kishte 2/3. Është e qartë që nuk ka shumicë për të realizuar atë që e kanë marrë si detyrim. Kjo do të thotë se politika e tyre e vetme është përplasur për muri dhe në mungesë të çfarëdo politike tjetër është normale dhe legjitime që opozita dhe populli të kërkojnë sa më shpejt zgjedhje të parakohshme parlamentare. Para nesh kemi zgjedhje të rregullta por sa më shpejt të mbahen zgjedhje të parakohshme në të cilat populli do të zgjedhë qeveri me legjitimitet të dhënë nga populli por edhe legjitimitet politik”, deklaroi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se është i bindur se procesi për ndryshimet kushtetuese në vend do të përfundojë me sukses në javët dhe muajt e ardhshëm. Ai këtë e deklaroi për MIA-n në Forumin Strategjik të Bledit.
“Procesi ka filluar dhe e gjithë bota, si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja, e mirëpritën vendimin për fillimin e procesit. Jam i bindur se ky proces do të përfundojë me sukses në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Ndryshimet kushtetuese përçajnë prej kohësh partitë politike kurse vazhdimi i seancës parlamentare në të cilën do të duhet të votohet me 80 vota “për” që të kalohet në fazën tjetër, nuk është caktuar akoma. /Alsat.mk