Mickoski: Komentet e fundit nga Sofja zyrtare janë pjesë e mesjetës

Mickoski: Komentet e fundit nga Sofja zyrtare janë pjesë e mesjetës

Gazetare: Fatlume Dervishi

Mesazheve kritikuese dhe paralajmëruese nga Sofja zyrtare për politikat e qeverisë së re në Shkup, kryeministri Hristijan Mickoski iu përgjigj në frymën e njëjtë. Duke komentuar qëndrimet e fundit të kreut të GERB Bojko Borisov dhe Presidentit Rumen Radev, Mickoski iu referohet si qëndrime mesjetare. Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, thotë ai, duhet të jenë rrugë me dy kahje dhe është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me të dy.

“Kam menduar se ky lloj i porosive anakronike janë pjesë e mesjetës por për fat të keq, në mes të Evropës, në shekullin 21, ekzistojnë kështu politikanë si ky i fundit. …duhet të mësohen me politikanë që punojnë ditë e natë për të mirën dhe të ardhmen e qytetarëve dhe me politikanë që nuk e kanë ndërmend të shtrembërojnë kurrizin, nuk e kanë ndërmend të nënshkruajnë dhe të pranojnë gjithçka që vendoset në tavolinë, por me politikanë që thjeshtë janë të gatshëm të flasin mbi bazën e argumenteve. Unë jam për t’u respektuar marrëveshjet dhe ajo është një rrugë me dy drejtime, jam për t’u ndërtuar miqësi me fqinjët sepse nuk mund t’u ikim fakteve, jam për t’u ndërtuar ura, por edhe që të respektohemi”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Presidenti bullgar Rumen Radev kishte thënë se politika e Shkupin është në kundërshtim me parimet Evropiane. Ai shtoi se pret veprime korrekte si nga qeveria bullgare ashtu edhe nga institucionet evropiane “për të ruajtur parimet dhe normat evropiane në procesin e zgjerimit”.

“Qeveria e re e fqinjit tonë ka treguar qartë se frika më e madhe e klasës politike të këtij vendi është njohja e vetë ekzistencës së fjalëve “bullgar” dhe “bullgare”… Kjo është një politikë kundër parimeve dhe vendimeve evropiane të bëra me konsensus të të gjitha shteteve anëtare, kundër detyrimeve ndërkombëtare, por mbi të gjitha kundër qytetarëve të tyre, të cilët qartësuan ambiciet e tyre për zhvillimin evropian të vendit”, tha Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Ka reaguar edhe lideri në GERB në Bullgari, ish kryeministri Bojko Borisov. Sipas tij, marrëveshjet, pa marrë parasysh a janë të mira ose të këqija, “veçanërisht marrëveshjet ndërkombëtare që janë pjesë e negociatave me BE-në, duhet të respektohen. “Pa mbështetjen tonë dhe të Greqisë, Maqedonia nuk ka asnjë shans për të hyrë në BE”, kishte deklaruar Borisov.

Nëse bëhet kryeministër, Borisov thotë se do të iniciojë takim me Mickoskin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button