Mickoski: Draft-ligji për përfaqësim të drejtë do të dërgohet në Kuvend së shpejti

Mickoski: Draft-ligji për përfaqësim të drejtë do të dërgohet në Kuvend së shpejti

Gazetare: Fatlume Dervishi

Jepet edhe një premtim tjetër për dorëzim të shpejtë në Kuvend të ligjit për përfaqësim të drejtë. Një javë pasi nga qeveria thanë se grupi i punës gjatë javës së kaluar do të harmonizonte draftin me rekomandimet e Komisionit të Venecias, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se harmonizimet akoma po bëhen.

“Janë duke u futur në ligj vërejtjet e fundit të Komisionit të Venecias dhe ligji shumë shpejt do të gjendet para deputetëve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Vëllimi i harmonizimeve nuk dihet akoma dhe as detajet konkrete ku qeveria ndërhyn në draft, meqë drafti i plotë nuk është publikuar asnjëherë nga qeveria për vlerësime publike.

Megjithatë, premtimet e para për miratimin e shpejtë të ligjit kishin ardhur që në janar të vitit të kaluar, nga bartësi i procesit për miratimin e ligjit, zv.kryeministri Fetai.

“Ta definojmë kalendarin me idenë që në janar ne si ekzekutiv ta kryejmë punën tonë dhe projekt-ligjin ta vendosim në duart e legjislativit për punimet e mëtutjeshme”, u shpreh Arben Fetai, Zv.kryeministër.
Kreu i Kuvendit Gashi, në shkurt të vitit të kaluar, po ashtu kishte thënë se ligji do të miratohej në pranverën e kaluar.

“Tani me ligjin që përgatitet, mendoj se shumë shpejt do të lëshohet në procedurë parlamentare dhe mendoj se, të mos paragjykojmë shumë, por në mars ose në prill mund ta miratojmë”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Qeveria dërgoi draftin për vlerësim në Komisionin e Venecias në verë të vitit 2025 kurse në dhjetor mori rekomandimet.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin e balancuesit që në tetor të vitit 2024. Që atëherë, punësimet në institucionet publike bëhen pa mekanizëm që siguron përfaqësimin e drejtë etnik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button