Mickoski mesazh BDI-së: Mos e politizo tragjedinë e Koçanit
Mickoski mesazh BDI-së: Mos e politizo tragjedinë e Koçanit

Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski porositi BDI-në që të mos e politizojë tragjedinë e Koçanit dhe të mos luajë me kartën etnike, pasi do t’i nxjerr prej shtëpisë për veshi. Ai referua konferencës së mbrëmshme të Arbër Ademit nga BDI, kur para stacionit policor të Karposhit i doli në mbrojtje ish ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi që po merrej në pyetje për çështjen e tragjedisë.
“T’u përgjigjem atyre që mbajnë konferenca për shtyp në mesnatë, këtu nuk ka politikë. Do të jepni llogari të gjithë, që keni guxuar në këtë mënyrë të udhëhiqni politikë në kurriz të qytetarëve dhe të jetëve që këto fëmijë i kanë humbur dhe nuk do të ketë mëshirë, prej shtëpisë do t’i nxjerrim. Nëse mendojnë se do të tentojnë në kartë etnike të luajnë dhe në politikë që dje tentuan me ato konferenca për shtyp të mesnatës, prej shtëpisë për veshi do t’i nxjerrim. Këtë duhet ta dinë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski, tha se tragjedia në Koçan është vrasje masive, që dikush e ka lejuar për të fituar para.
“Nuk do të ketë mëshirë, atë edhe dje e thash, do ta përsëris edhe sot. Kushdo le të jetë, prej çfarëdo përkatësie etnike le të jetë dhe prej cilësdo parti le të jetë. Ajo çfarë ka ndodhur është më shumë se krim, kjo është do të thosha vrasje masive, të cilën dikush e ka lejuar për para, për ryshfet, për korrupsion që të ndodh”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri, tha që gjendja në shtet me punën e klubeve të natës është alarmante. Shumica e tyre punojnë pa licencë.
“Gjendja është tronditëse për atë çështje. Erdhëm në përfundim se në vitin 2024 janë dhënë gjithsej 12 licenca për kabare, ndërsa ju mund ta paramendoni sa klube punojnë në shtet. Vetëm 12 posedojnë licenca. Edhe ato, prej tyre nuk e dimë ende se sa janë të vlefshme pasi disave ma merr mendja afati u ka skaduar, pasi ato janë me vlefshmëri prej 1 vit”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër. /Alsat.mk