Mickoski mori detyrën e kryeministrit

Mickoski mori detyrën e kryeministrit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski mori detyrën e kryeministrit, një ditë pasi Kuvendi më 77 vota “për” dhe 22 “kundër” votoi për përbërjen e qeverisë së re. Në pranim-dorëzimin e postit gjatë ditës, kryeministri i ri nuk pati prononcim të përbashkët me Talat Xhaferin, nga i cili mori detyrën, megjithatë kur bëri betimin para deputetëve një ditë më parë, Mickoski dhe ministrat e tij u betuan me emrin kushtetues të shtetit.

Mickoski edhe një herë do t’i rreken punës furishëm, duke premtuar më shumë gjëra për 100-ditëshin e parë.

“Ne premtojmë se do të punojmë pa lodhur, se do të kujdesemi, se vendi do të ndryshojë, se do të ecë përpara, se do t’ju respektojmë dhe se do të jemi të përgjegjshëm. Prandaj në 100 ditët e para e nisim furishëm, me optimizëm, por edhe me shumë shpresë: Do të ulim taksat; Do të rrisim pensionet; Do të fillojmë një projekt me mbi 200 milionë euro për projekte komunale; 1 miliard euro për ekonominë maqedonase; Investimet e reja të huaja për punësime të reja; Tekste shkollore falas për të gjithë; Fronti kundër korrupsionit; Lufta për rritje deri në 5 për qind të ekonomisë maqedonase…”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Detyrën e re sot e morën edhe anëtarët e tjerë të kabinetit të ri qeveritar, të përbërë nga tre subjekte si partnerë koalicioni. Në mesin e tyre, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, tha se me prioritet shqyrton problemin me furnizimin me oksigjen të sallave të kirurgjisë në Qendrën Klinike.

“Unë pres që këto ditë të marr raport nga inspektimet që janë bërë dhe më intereson si ta zgjidhim problemin sa më shpejt. Më duhen disa ditë kohë që të sjell vendim përfundimtar; a do të shkojmë me furnizim të ri dhe instalim i sistemit tërësisht të ri ose do të mundet që kjo të riparohet”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Taravari sapo mori detyrën, shkarkoi disa dhe do të vazhdojë të shkarkojë të 14 drejtorët ekonomikë të spitaleve që janë ushtrues detyre, pozitë që e konsideron të panevojshme.

Qeveria e re numëron 13 anëtarë të kabinetit qeveritar, prej të cilëve vetëm tre janë gra./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button