Mickoski për rezolutën gjermane: “Kjo nuk është as 5% e asaj që duhet të jetë”
Mickoski për rezolutën gjermane: “Kjo nuk është as 5% e asaj që duhet të jetë”

Gazetar: Lluka Andreev
Bundestagu gjerman përmes një Rezolute, mbështeti identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë e Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Teksti u përpunua nga Sekretarja gjermane e Shtetit për Evropën, Ana Lirman, e cila theksoi se ndryshimi i Kushtetutës nuk kërcënon identitetin maqedonas, por përkundrazi forcon karakterin multietnik të shtetit.
“Do të udhëtoj përsëri pas një kohe të shkurtër në Shkup, për të katërtën herë me kolegë nga Franca dhe Polonia. Së bashku do të inkurajojmë ndryshimet kushtetuese, miratimi i të cilave është kusht që vendi të vazhdojë rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi Ana Lirman – Sekretare e Shtetit për Evropën.
Rezoluta me të cilën Gjermania u angazhua më tej për të mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë në BE, u mbështet nga deputetët nga të gjitha partitë në pushtet. Ata u dërguan një mesazh kolegëve të tyre të opozitës gjermane të cilët votuan “kundër”, dhe janë parti simotër e VMRO-DPMNE-së.
Respektivisht, ata ishin kundër, sepse besonin se Rezoluta duhet t’i referohet të ardhmes evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor, dhe jo të theksojë vetëm Maqedoninë.
“U bëj thirrje kolegëve të mi nga bashkimi konservator dhe partisë së tyre simotër në opozitën maqedonase, që të ndihmojnë ta bindin atë të votojë ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Josip Juratoviq – Deputet i Partisë Socialiste.
Rezoluta gjithashtu thotë se Bullgaria duhet të mbështesë pranimin e Maqedonisë dhe “të përmbahet” nga kushtet shtesë në proces. Rezoluta gjermane vjen pasi VMRO-DPMNE, kërkoi garanci shtesë mbi gjuhën dhe identitetin, por nga Këshilli i BE-së. Edhe pse e përshëndeti hapin e Bundestagut, Hristijan Mickoski përsëriti se në kushtet e tanishme, negociatat për vendin tonë do të mbaheshin nën, siç e vlerësoi, diktatin bullgar.
“Ne presim të tilla rezoluta edhe nga partnerët tanë të tjerë strategjikë në periudhën që vjen, por kjo nuk është as 5% e asaj që meriton ky popull, dhe ky popull meriton një shans të drejtë si të gjitha vendet që aderojnë në BE, dhe kjo është pa kushtëzime, pa lëshime ndaj identitetit kombëtar”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
“Për fat të keq, DPMNE, përveç bllokadave, nuk bëri asgjë për identitetin dhe gjuhën maqedonase dhe as për këtë rezolutë. DPMNE dhe Mickoski duhet të turpërohen për këtë. Sidomos pasi partitë e tyre simotra në Bundestag votuan kundër Rezolutës mbi konfirmimin e gjuhës, kulturës dhe unikalitetit maqedonas”, theksoi Darko Kaevski – Deputet i LSDM-së.
Përndryshe, jozyrtarisht, një rezolutë e ngjashme në periudhën e ardhshme mund të pritet nga vendet e tjera evropiane, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Alsat.mk