Mickoski prezantoi programin qeveritar, Bullgaria dhe Kushtetuta nuk u përmendën
Mickoski prezantoi programin qeveritar, Bullgaria dhe Kushtetuta nuk u përmendën

Gazetare: Arta Tahiri
Kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në ekspozenë e tij para deputetëve bëri thirrje që të tejkalohen ndarjet dhe se dallimet nuk mund të jenë më të mëdha se sa motivi për suksesin e shtetit. Sipas tij, qeveria e re do të jetë për ekonomi dhe zhvillim, pasi shumë kohë dhe energji është shpenzuar për tema të imagjinuara dhe çështje etnike.
“Është koha, vjen ora kur atdheu duhet të bëjë më shumë për çdo qytetar! Secili nga ju, maqedonas, shqiptar, turk, serb, rom, vlleh, boshnjak dhe të gjithë të tjerët, bëri gjithçka për atdheun. Tani është koha që ai të bëjë për ju! Për ty! Edhe ai që jeton në veri, jug, perëndim ose lindjen e atdheut tonë të përbashkët”, tha Hristijan Mickoski, kandidat për kryeministër.
Mickoski u shpreh se informacionet që i ka marrë tregojnë se gjendja në shtet nuk është aspak e mirë.
“Ajo që e mësojmë për gjendjen në shtet, tregon se ajo është baras me vdekjen klinike në shumë fusha të rëndësishme, e shkatërruar deri në masë të madhe, pasi institucionet janë para rrënimit të plotë dhe mosfunksionimit që nuk mbahet mend. Për këtë publiku do të njoftohet dhe nuk kam për qëllim që për gjendjen e rëndë të arsyetohem ose të ankohemi, por vendosmërisht do të përgjigjemi, sepse kjo gjeneratë nuk ka opsion mossuksesin”, shtoi Hristijan Mickoski, kandidat për kryeministër .
Kryeministri i ardhshëm u shpreh se nuk kërkon 100 ditë muaj mjalti dhe paralajmëroi se të martën do të ndodh një investim i ri, në vlerë prej më shumë se 400 milion euro dhe premtoi se do të rriten pensionet. Në sferën ekonomike, Mickoski premtoi 55 mijë vende të reja pune dhe shumë masa të tjera.
“Patjetër të arrijmë rritje të prodhimit bruto vendor deri në 5 % në vit, shkallë të ulët të inflacionit, jo më shumë se 2.0 %- 2,5% në vit. Papunësia të ulet deri në 7.5 %”, shtoi Hristijan Mickoski, kandidat për kryeministër.
Kryeministri i ardhshëm premtoi investime në infrastrukturë prej 2 miliard euro për 4 vite, përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër, rikonstruksionin e korridorit hekurudhor 10 dhe 250 milion euro investime në komuna. Mickoski nuk përmendi fare raportet me Bullgarinë, ndërsa me një formulim të përgjithshëm u shpreh se do të angazhohet për marrëdhënie të mira me fqinjët. Ai tha se zyrtarët e rinj qeveritarë do të jenë nën llupën e evaluimit dhe se përgjegjësinë nuk do ta japin para shtabeve partiake, por para qytetarëve, ndërsa ata që nuk do të mund tu përgjigjen detyrave do të ndërrohen, pavarësisht se cilës parti politike i takojnë./Alsat.mk