Mickoski shpreh pakënaqësi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit gjyqësor
Mickoski shpreh pakënaqësi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit gjyqësor

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kryeministri Hristijan Mickoski duket i pakënaqur nga ndryshimet në Këshillin gjyqësor dhe zgjedhjen e kryetarit të ri nuk e konsideron si reformë. Ai duke u përgjigjur me ironi, komentoi shkurt zgjedhjet e Aleksandar Kambovskit në krye të organit i cili gjatë kësaj periudhe ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të presioneve nga jashtë për t’u reformuar.
“Nuk e di nëse kjo është reformë. Është zgjedhje e kryetarit të Këshillit gjyqësor. Nuk e di a është reformë. Janë mbledhur anëtarët e Këshillit gjyqësor dhe kanë zgjedhur kryetar të Këshillit gjyqësor”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Katër ditë më parë, Këshilli Gjyqësor zgjodhi në mënyrë unanime për kryetar të ri anëtarin Aleksandar Kambovski. Kambovski e ka filluar karrierën e tij si gjykatës në Gjykatën Themelore të Manastirit, më pas ka punuar si avokat në kompani private, e më pas si gjykatës i Apelit në Manastir. Ai është zgjedhur anëtar i këshillit që nga viti i kaluar. Zgjedhja e Kambovskit si person i parë i Këshillit vjen në kohën kur ky organ është nën kritika të vazhdueshme nga pushteti dhe në kohën kur është paralajmëruar shkarkimi i anëtarëve të zgjedhur nga kuvendi. Megjithatë, Kambovski ditë më parë nuk deshi t’i komentojë këto paralajmërime të Qeverisë, por vetëm tha se shpreson që legjislativi të punojë sipas ligjeve dhe kushtetutës.
Qeveria ka përfunduar debatet publike me ekspertë për një ligj të ri për këshillin gjyqësor.
Ligji i ri duhet të jetë gati brenda qershorit të vitit të ardhshëm kurse grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë duhet t’i mbledh të gjitha propozimet e gjykatësve dhe të hartojë propozim-ndryshimet e Ligjit për Këshillin gjyqësor. Ndryshimet e propozuara përfshijnë ndryshime në kriteret për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit, si dhe parashikojnë që Oda e avokatëve si dhe konferenca ndëruniversitare të mund të bëjnë propozimin e tyre për zgjedhjen e anëtarit./Alsat.mk