Microsoft pretendon se ka krijuar një mjek me inteligjencë artificiale që është katër herë më i saktë se mjekët e vërtetë
Microsoft ka zbuluar sistemin e saj të ri të bazuar në inteligjencën artificiale që supozohet se mund të diagnostikojë sëmundjet katër herë më saktë se mjekët njerëz. Kompania po e quan atë një "hap të vërtetë drejt superinteligjencës mjekësore" që thotë se do të ndryshojë mënyrën se si i qasemi kujdesit shëndetësor.

Në eksperiment, sistemi, i quajtur “MAI-DxO” (Medical AI Diagnostic Orchestrator), arriti 80% saktësi në bërjen e diagnozave, krahasuar me vetëm 20% për mjekët. Përveç kësaj, IA uli kostot me 20% duke zgjedhur teste dhe procedura më pak të kushtueshme.
“Ky orkestrim i agjentëve të shumtë, që punojnë së bashku në një stil debati zinxhir, është pikërisht ajo që na afron me superinteligjencën mjekësore”, tha Mustafa Suleiman, drejtor i divizionit të IA-së në Microsoft.
Ekipi i Microsoft përdori 304 raste klinike nga New England Journal of Medicine për të krijuar një test të quajtur “Standard i Diagnostikimit Sekuencial”. Një model i madh gjuhësor (LLM) i ndau rastet në hapa që një mjek i vërtetë do të ndiqte për të bërë një diagnozë.
Studiuesit më pas ndërtuan sistemin “MAI-DxO”, i cili kombinon disa modele kryesore të inteligjencës artificiale – duke përfshirë “OpenAI GPT”, “Google Gemini”, “Anthropic Claude”, “Meta Llama” dhe “xAI Grok” – në një simulim të një ekipi ekspertësh mjekësorë.
Si funksionon kjo gjeneratë e re e “IA”-së mjekësore?
Microsoft ende nuk ka vendosur nëse do ta komercializojë teknologjinë, por po shqyrton integrimin e saj në motorin e kërkimit Bing për të ndihmuar përdoruesit të bëjnë diagnoza të mundshme. Është gjithashtu e mundur të zhvillohen mjete që do t’i ndihmojnë mjekët në përmirësimin ose automatizimin e kujdesit ndaj pacientëve.
“Në vitet e ardhshme do të shihni gjithnjë e më shumë përpjekje për të testuar këto sisteme në kushte të botës reale”, thotë Suleiman.
Ky është projekti më i fundit në një grup gjithnjë e në rritje kërkimesh që tregojnë se inteligjenca artificiale mund të diagnostikojë me sukses sëmundjet. Në vitet e fundit, si Microsoft ashtu edhe Google kanë publikuar punime që demonstrojnë se modelet e mëdha gjuhësore mund të bëjnë diagnoza të sakta nëse kanë qasje në të dhënat mjekësore.
Hulumtimi i Microsoft ndryshon nga ato të mëparshmet pikërisht sepse imiton më nga afër mënyrën se si mendon një mjek i vërtetë – duke analizuar simptomat, duke urdhëruar teste dhe duke vlerësuar rezultatet derisa të arrihet një diagnozë.
Një revolucion në kostot e kujdesit shëndetësor
Projekti sugjeron gjithashtu se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë ndjeshëm në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor – një çështje me rëndësi të veçantë në Shtetet e Bashkuara.
“Modeli ynë jo vetëm që është jashtëzakonisht i saktë në bërjen e një diagnoze, por e bën këtë edhe në një mënyrë shumë efektive nga ana e kostos”, thotë Dominic King, nënkryetar në Microsoft dhe pjesë e ekipit të projektit.
“Kjo është vërtet emocionuese”, tha David Sontag, një shkencëtar i MIT dhe bashkëthemelues i Layer Health, një startup që zhvillon mjete mjekësore të inteligjencës artificiale. Ai tha se studimi është i rëndësishëm jo vetëm sepse imiton punën e mjekëve, por edhe sepse adreson me kujdes dobësitë metodologjike që janë gjetur në studime të tjera.
Megjithatë, Sontag paralajmëron se duhet të jemi të kujdesshëm me përfundimet, sepse mjekët në studim nuk përdorën asnjë mjet ndihmës – gjë që nuk është një pasqyrim realist i praktikës klinike të përditshme.
“Ky është një hulumtim mbresëlënës sepse merret me raste diagnostikuese shumë komplekse”, thotë Dr. Eric Topol i Institutit të Kërkimeve Scripps. Ai shton se të tregosh se inteligjenca artificiale mund të ulë kostot e kujdesit shëndetësor është vërtet diçka e re.
Si Topol ashtu edhe Sontag bien dakord se hapi tjetër kyç përpara zbatimit të gjerë është një provë klinike që krahason rezultatet e “MAI-DxO” me ato të mjekëve të vërtetë në mjedise të botës reale.