3 600 të ndaluar në protestat për Navalnyn në Rusi

Policia në Rusi ka përdorur forcë dhe ka ndaluar mbi 3,600 persona në mbarë vendin, pasi protestuesit, për të dytën javë me radhë, kërkuan lirimin nga burgu të politikanit opozitar, Aleksei Navalny.

Në rrugët e qyteteve ruse, më 31 janar kishte prani të shtuar të policisë, të cilët tentuan të shpërndajnë protestuesit. Protestat, që u mbajtën pa lejen e autoriteteve, u thirrën nga Navalny dhe ekipi i tij.

Policët janë parë duke tërhequr zvarrë protestuesit e duke i futur në makina të blinduara, si dhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Po ashtu, forcat e rendit kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Dhuna dhe raportimet për ndalimin e protestuesve, vijnë vetëm një javë pasi policia arrestoi mijëra protestues, gjë që nxiti realigimin e Uashingtonit zyrtar, i cili bëri thirrje që të respektohen të drejtat e njeriut dhe liria e shtypit.

Gruaja e Navalnyt është në mesin e mbi 840 personave që u ndaluan në Moskë, ku Navalny gjendet në paraburgim për 30 ditë, nën akuzat, të cilat ai i cilëson të fabrikuara.

Protestat në Moskë nuk nisën në kohën e paraparë, pasi autoritetet kishin mbyllur të gjitha linjat e transportit publik, me qëllim që të pamundësonin tubimin e qytetarëve.

Në Shën Petersburg, një zyrtar policor ka kërcënuar një gazetar të Radios Evropa e Lirë, pasi ai e pyeti se pse ai po ndalohej nga autoritetet. Në këtë qytet, mbi 480 persona raportohet se janë arrestuar. Një video e postuar në mediat sociale shfaqi një zyrtar policor duke rahur një polic.

Në përgjithësi, 35 gazetarë në mbarë Rusinë u ndaluan nga policia, tetë prej tyre vetëm në Shën Petersburg, raporti Qendra për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të gazetarëve rusë.

Protestuesit në Lindjen e Largët dhe Siberi protestuan, pavarësisht temperaturave të ulëta.

Organizata OVD-Info ka raportuar për mbi 3,600 persona janë ndaluar në mbarë Rusinë, përfshirë mbi 120 në Vladivostok të Lindjes së Largët dhe mbi 190 të tjerë në Krasnoyarsk. Kjo organizatë ka raportuar se edhe disa gazetarë janë ndaluar në disa qytete të tjera.

në orët e para të protestave, përfshirë edhe mbi 100 të ndaluar në qytetin e Lindjes së Largët, Vladivostok dhe dhjetëra gazetarë në disa qytete të tjera. Kjo organizatë ka raportuar se aktivistët në disa qytete ruse janë vizituar nga policia para protestave anti-qeveritare, me qëllim që të frikësohen që të mos marrin pjesë në protesta.

Videot e xhiruara në Vladivostok, ku qindra protestues u arrestuan, shfaqin pjesëmarrësit në protesta të cilët kanë lidhur duart dhe kanë brohoritur “Putini është hajdut”. Në këtë vend, protestat u mbyllën pas dy orësh.

LEXO EDHE:

Back to top button