Milani bëhet gjithnjë e më “amerikan”

Milan i presidencës së “RedBird” po bëhet gjithnjë e më shumë amerikan. Pasi kanë sjellë në Milanello mesfushorin Kristian Pulishiç, skuadra kuqezi është pranë finalizimit të një tjetër mesfushori amerikan. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Junus Musah, që luan në La Liga me Valencia.
Një lojtar që ka 4 pasaporta (amerikane, italiane, angleze dhe ganeze), ndaj mund të luajë pa probleme në Serie A. Sipas “Gazzetta Dello Sport” një mesfushor i përshtatshëm për skemat e trajnerit Stefano Pioli, që tashmë ka emra të rinj në atë repart (erdhën edhe Loftus-Çeek e Reijnders).
Musah ka një kontratë deri në vitin 2026 me Valencia dhe kushton rreth 20 milionë euro. Lojtari luan prej 3 sezonesh në La Liga, një mesfushor shkatërrues e agresiv, që nuk shënon shumë, por ka forcë fizike. Drejtuesit e Milanit do të takojnë ata të Valencia këtë javë për të mbyllur marrëveshjen.
Klubi spanjoll kërkon 25 milionë euro, ndërsa Milan ka ofruar 13 milionë, plus 4 mln bonus, por mund të shkojnë deri në 20 milionë për të mbyllur marrëveshjen. Ndërsa vet Junus Musah do të përfitojë 2 milionë euro në sezon. Te Milan janë optimist teksa edhe vetë lojtari është shprehur dakord për transferimin.