Milani dhe Juventusi mësojnë dëmshpërblimin fiks të Xhoshua Zirkzee

Xhoshua Zirkzee dha një kontribut të madh në kualifikimin e Bolonjës në Ligën e Kampionëve, por rrezikon t’u japë shumë më pak të ardhura nga sa mendohej në rast lamtumire. Pak në krahasim me cilësinë që holandezi ka shfaqur këtë sezon të Serie A, çka ka bërë që ta dëshirojnë klubet më të mëdha të Italisë dhe jo vetëm. Në orët e fundit ka dalë në pah një detaj që bën të lumtur të gjitha klubet që pretendojnë shërbimet e sulmuesit. Çmimi i kartonit të sulmuesit holandez është fiksuar tanimë, dhe është 40 milionë euro.
Siç bën të ditur e përditshmja “Corriere Dello Sport”, gjithçka është zbuluar nga Bajern Munihu, që ka i pari të drejtën e blerjes së Zirkzees në sesionin e ardhshëm të merkatos. Në thelb, bavarezët do të paguanin më pak për sulmuesin krahasuar me çdo klub tjetër të interesuar.
Gjithçka në bazë të një marrëveshjeje të përpiluar prej kohësh mes Bolonjas dhe agjentit Kia Joorabçain. Por nuk mbaron këtu, klubi emilian do të arkëtonte vetëm 21 nga 40 milionë eurot në fjalë. Një lajm i tillë pritet me kënaqësi nga Milani dhe Juventusi, klubet italiane më të interesuara për 22-vjeçarin, pasi me çmimin tanimë të fiksuar do u mjaftonte të gjenin marrëveshjen drejtpërdrejt me agjentin e lojtarit.
Gjithsesi duhet bërë kujdes nga një lëvizje e mundshme e Bajernit, që duke patur në skuadër një bomber klasi si Harri Kejn, nuk përjashtohet mundësia që ta marrin sërish Zirkzeen.
Për ta shitur sërish menjëherë më pas, natyrisht për një shifër shumë më të lartë. Duke qenë se në dritare qëndrojnë edhe klube të Premier Ligës, me Arsenalin që po kërkon një sulmues për sezonin e ardhshëm.