Milani gati që të huazojë De Ketelarin në Seria A

Situata e mesfushorit belg Sharll De Ketelar vijon të jetë e paqartë. I ardhur me shumë bujë një vit më parë te Milani, mesfushori 22-vjeçar zhgënjeu sezonin e parë me kuqeiznjtë, duke mos shënuar dot asnjë gol edhe pse prej tij pritej shumë.
Edhe aventura e tij e fundit me kombëtaren U-21 në Europian nuk ishte e mirë, ndaj dhe pikëpyetjet rreth të ardhmes së tij janë të shumta. Gjithsesi, mediat italiane sqarojnë se trajneri Pioli ka dëshirë t’i japë edhe një shans De Ketelare edhe pse merkato mund të përmbyset në çdo moment.
Në rast se vjen një ofertë e mirë mesfushori do të shitet. Milan nuk dëshiron që të dalë me humbje nga ky transferim, çka do të thotë që duhen të paktën 28 milionë euro për ta shitur. Sipas “Gazzetta Dello Sport”, e interesuar për belgun është ekipi i Atalanta.
Për momentin, Atalanta është thjesht e interesuar, ka patur një takim me menaxherin e lojtarit për të kuptuar situatën rreth mesfushorit, por ende nuk ka asnjë ofertë. Ata shpresojnë që ta marrin lojtarin në formë huazimi me të drejtë blerje.