“Corriere Dello Sport” ka konfirmuar se skuadra e Milani ka mbyllur procedurat për blerjen e mesfushorit 18-vjeçar argjentinas Luka Romero. Talenti argjentinas, që luan edhe me kombëtaren U-20 të vendit të tij, ka luajtur dy sezonet e fundit me Lacio-n në Serie A.
Palët kanë zhvilluar një takim në Milano, në zyrat e skuadrës kuqezi, ku kanë mbyllur të gjitha detajet dhe pritet që orët në vijim të bëhet zyrtarizimi i transferimit të Luka Romero. Lojtari vjen me koston zero, pasi kontrata e tij me Lacio, skadon më 30 qershor.
Për Romero, një kontratë deri në vitin 2028 me Milan, një mesfushor me tipare sulmuese, që ka debutuar e shënuar në kampionatin italian. Në dy sezone me Lacio ka realizuar 21 ndeshje e 1 gol, ndaj shihet si një përforcim me vlera për Milan, që po ndërton një ekip me mjaft emra të rinj.








