Milani rrit ofertën, Fofana gati të kalojë Itali
“Corriere della Sera” i kushton hapësirë të bollshme të ardhmes së Jusuf Fofana, i cili më në fund duket se është një hap larg për t’u bërë përforcimi i ri i Milanit. “Kuqezinjtë” kanë përgatitur një ofertë prej 20-22 milionë euro (përfshirë bonuset) dhe duhet të bindin Monakon, një klub që po rezulton të jetë “arrë e fortë”…
Gazeta milaneze shpjegon se mesfushori francez llogaritet pjesë thelbësore e Milanit të ri të Paulo Fonseca-s, i cili është ekip plot talente sulmuese, por ka nevojë për një mesfushor mbrojtës si Fofana.
Orët e fundit ka pasur optimizëm të madh në rrethin e lojtarit, kontrata e të cilit skadon në më pak se një vit (30 qershor 2025). Fofana prej disa kohësh kërkon transferimin te “kuqezinjtë”, ashtu si trajneri Fonseka po bën presion që ta ketë në dispozicion sa më shpejt.
Klubi nga “via Aldo Rossi” tani ka rritur ofertën e tij për Monakon, shpresa është që marrëveshja të mund të përmbyllet deri në fillim të javës së ardhshme.