Ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan në Pragë, Ukraina në qendër të bisedimeve

Ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan në Pragë, Ukraina në qendër të bisedimeve

Gazetare: Xhesika Sallahi

Ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan në Pragë për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën. Takimi vjen pasi, së fundmi, zyrtarët ukrainas kanë shtuar thirrjet ndaj administratës amerikane për të lejuar forcat e tyre të mbrohen kundër sulmeve ruse. Mirëpo, jo të gjitha vendet janë dakord për miratimin, pasi Rusia ka kërcënuar haptazi se nëse Ukraina përdor armët e Perëndimit, atëherë Perëndimi do të vuajë pasojat. Një ndër vendet që është kundër, është Italia e cila tha se nuk mund ti përdorim armët në Rusi sepse nuk jemi në luftë me Rusinë, por po mbrojmë Ukrainën.

“Putin po përpiqet të na kërcënojë që të mos e bëjmë këtë. Ai mbajti një fjalim ku kërcënoi të gjitha vendet që do të jepnin ndonjë mbështetje për Ukrainën, se kjo ishte e rrezikshme dhe kjo do të kishte pasoja. Dhe ky ka qenë mesazhi sa herë që kemi marrë vendime për të dorëzuar artileri. Ne kemi të drejtë të ndihmojmë Ukrainën të mbajë të drejtën për vetëmbrojtje. Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrojë territorin e saj gjithashtu”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Nga ana tjetër, ashtu si SHBA-të që miratuan Ukrainën të përdorë municionet amerikane për të goditur Rusinë, Gjermania gjithashtu miratoi se Ukraina mund të përdorë armë të furnizuara nga Gjermania kundër sulmeve të nisura nga brenda Rusisë. Ministrja e Jashtme gjermane, tha se Ukraina ka të drejtën absolute për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

“Bëhet fjalë për mbrojtjen. Askush nuk po godet Rusinë. Rusia po godet në mënyrë të paligjshme kundër ligjit ndërkombëtar mbi Ukrainën. Ukraina po mbron veten, dhe ne po bëjmë gjithçka për të ndihmuar Ukrainën që ajo të mund të mbrojë jo vetëm vendin e saj por edhe qytetarët e saj. Ne e kemi bërë shumë të qartë që në fillim, se e drejta e vetëmbrojtjes është linja jonë e mbështetjes.”, tha Annalena Baerbock, ministre e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Gjithashtu, ministrat e jashtëm nga Suedia, Estonia, e Lituania deklaruan se Ukraina duhet të ndjekë të drejtën e saj humanitare ndërkombëtare dhe të mbrohet. I të njëjtit mendim ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili madje shtoi se Ukraina ka të drejtë të godasë objektiva të ligjshme ushtarake brenda Rusisë.

“Kjo është një luftë agresioni. Rusia ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ka pushtuar Ukrainën dhe Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje. Dhe kjo përfshin gjithashtu të drejtën për të goditur objektiva të ligjshme ushtarake brenda Rusisë. Dhe më lejoni të shtoj se kjo është edhe më urgjente, pasi shohim se Rusia ka hapur një front të ri. Rusia po nis sulme në tokën ukrainase nga toka ruse, me artileri, me raketa, duke grumbulluar trupa dhe, natyrisht, kjo e bën shumë të vështirë për Ukrainën të mbrohet nëse nuk u lejohet të përdorin armë të avancuara për të zmbrapsur këto sulme”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Kjo ishte mbledhja e fundit e madhe diplomatike e NATO-s përpara një samiti liderësh në Uashington në korrik për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të saj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button