Ministrat e partisë së tij i kërkojnë Netanyahut që ta aneksojë Bregun Perëndimor
Ministrat e partisë së tij i kërkojnë Netanyahut që ta aneksojë Bregun Perëndimor

Ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e partisë Likud të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, bënë thirrje të mërkurën që Izraeli ta aneksojë Bregun Perëndimor para fillimit të pushimit veror të Kuvendit në fund të këtij muaji.
Ata lëshuan një peticion para takimit të Netanyahut javën e ardhshme me presidentin amerikan, Donald Trump, ku diskutimet pritet të përqendrohen në një marrëveshje të mundshme me Hamasin për armëpushim 60-ditor në Gaza dhe për lirimin e pengjeve izraelite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Peticioni u nënshkrua nga 15 ministra të kabinetit si dhe nga kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana. Kuvendi i Izraelit njihet me emrin Knesset.
Nuk pati përgjigje të menjëhershme nga Zyra e Kryeministrit. Ministri i Punëve Strategjike, Ron Dermer, për një kohë të gjatë njeri i besueshëm i Netanyahut, nuk e ka nënshkruar peticionin. Ai ndodhet në Uashington nga e hëna për bisedime rreth Iranit dhe Gazës.
“Ne, ministra dhe anëtarë të Knesset-it, bëjmë thirrje për zbatimin e sovranitetit dhe ligjit izraelit menjëherë ndaj Judea-s dhe Samaria-s” – shkruan ata, duke i përdorur emrat biblikë për Bregun Perëndimor të kapur nga Izraeli në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Në peticionin e tyre përmenden arritjet e fundit të Izraelit kundër Iranit dhe aleatëve të tij si dhe mundësia e ofruar nga partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe përkrahja e presidentit Trump.
Më tej, në peticion thuhet se sulmi i drejtuar nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 tregoi se koncepti i blloqeve hebreje të banimit bashkë me themelimin e një shteti palestinez paraqet kërcënim ekzistencial ndaj Izraelit.
“Detyra duhet të përmbushet, kërcënimi ekzistencial të hiqet nga brenda dhe një masakër tjetër në zemër të vendit duhet të parandalohet” – thuhet në peticionin e ministrave izraelitë.
Shumica e shteteve i konsiderojnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor, shumë prej të cilave shkëputin komunitete palestineze nga njëra-tjetra.