Ministri e shkarkoi drejtorin e Kardiokirurgjisë – Ka dyshime se pacientët që kanë vdekur nuk janë evidentuar!

Ministri e shkarkoi drejtorin e Kardiokirurgjisë – Ka dyshime se pacientët që kanë vdekur nuk janë evidentuar!

Gazetar: Adnan Qaili

Shkarkime të udhëheqësve në Klinikën e Kardiokirurgjisë me dyshimet për keqpërdorime të pozitës, vijnë nga Ministria e Shëndetësisë. Ministri Iliri Demiri ka shkarkuar drejtorin e Klinikës Marjan Shokarovski dhe udhëheqësen e Programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, Aleksandra Eftimova, shkruan Alsat.

Ai tha se rastin e ka denoncuar edhe në prokurori, dhe kërkon masa urgjente nga organi akuzës. Ka dy arsye për shkarkimin e tyre, kurse në vend të tij do të vihet një ekspert jashtë klinikës. Dyshimet janë se kanë keqpërdorur shuma të majme parash për ekspertët, derisa bilanci i vdekshmërisë është rritur te pacientët e sëmurë.

“Sot kuptova që janë 170 histori të pacientëve të cilët kanë pasur intervenime në Klinikë, por nuk janë futur  as në platformën ‘Termini im’ dhe nuk kanë pasur fletë lëshim apo certifikatën e vdekjes dhe ky numër ndryshon statistikat që janë zyrtare, kjo është njëra. E dyta, Programi për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, e udhëheqë Aleksandra Eftimova dhe prej vitit 2011 paguhen nga 700 euro mëditja ditore, ekspert me renome botërore, por janë nga Serbia përkatësisht Qendra Dedinje. Sot e kam shkarkuar Aleksandren sepse nuk jep informacione çfarë bën dhe çfarë biografie kanë këta ekspertë”, tha Ilir Demiri, Ministër i Shëndetësisë.

Akoma nuk dihet sa është dëmtuar buxheti i shtetit vetëm nga ato mëditje ditore. Por, sot u formua një komision i ri për Programin për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe do të kërkohen ekspertë ndërkombëtarë me licenca botërore nga Gjermania, Italia dhe Zvicra.

Ka indicie të forta që në Klinikë janë operuar pacientë të paregjistruar në sistem dhe ata që kanë vdekur nuk janë evidentuar në statistika.

Po ashtu, në të gjithë Qendrën Klinike Universitare, sistemi i amortizuar i furnizimit me oksigjen ka bërë që të ndërpriten operacionet më shumë se një javë dhe të intervenohet vetëm në rastet më urgjente me rrezik jete. Ministri tha se kanë sjell bombola oksigjeni për sallat e operimit derisa të sanohet sistemi.

“Drejtorët e spitaleve si ai medicinal dhe ai ekonomik kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe servisimin e sistemit në fjalë. Qendra Klinike ‘Nënë Tereza’ është më e madhja në vend për çfarëdolloj intervenimi, ndaj e njoftova edhe Prokurorinë për tu gjetur arsyeja sepse është e paqartë nga vjen era e keqe kur ajri me oksigjen nuk është i kompromituar”, u shpreh Ilir Demiri, Ministër i Shëndetësisë.

Derisa të riparohet sistemi i furnizimit me oksigjen në sallat dhe stacioni i kompresorit – situata mbetet status quo. Gjithashtu, ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri kërkoi që në Gjermani të bëhen analiza për cilësinë e oksigjenit. Kampionet janë dërguar tashmë, por kontrollet e dy institucioneve të pavarura në vend kanë treguar se është e një cilësie të kënaqshme. Por për shkak të erës së çuditshme që është ndjerë një javë më parë në shpërndarjen e oksigjenit, është vendosur që pjesa më e madhe e operacioneve të vihen në pritje dhe rastet emergjente operohen me kompresorë të jashtëm që janë blerë. Ndërkohë është mbyllur edhe dhoma hiperbarike e Klinikës së Kirurgjisë Plastike./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button