Ministri i Jashtëm i Lituanisë vizitoi Shkupin, këto ishin deklaratat e tij
Ministri i Jashtëm i Lituanisë vizitoi Shkupin, këto ishin deklaratat e tij

Gazetar: Lluka Andreev
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, i ndodhur për vizitë në Shkup, tha se integrimi evropian i vendit nuk duhet të mbahet peng nga një prej vendeve anëtare të BE-së, shkruan Alsat.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë vende evropiane po ngrenë zërin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe ai beson se kërkesa e Shqipërisë për shkëputje nga pakoja me Maqedoninë nuk do të jetë aspak e nevojshme.
“Unë ende besoj se dy muajt e ardhshëm gjatë presidencës franceze me BE-në do të arrijnë rezultate pozitive dhe nuk do të ketë nevojë për ndarje. Është e kuptueshme që kjo të ndodhë nëse procesi ngec për një kohë të gjatë … “, tha Gabrielius Landsbergis – Ministër i Punëve të Jashtme të Lituanisë.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se është duke biseduar me shtetet anëtare të BE-së për atë se çfarë është e pranueshme që Maqedonia të bëhet pjesë e kornizës negociuese me Brukselin e çfarë jo. Kryeministri bullgar Kirill Petkov tashmë ka thënë se është e nevojshme kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë të jetë pjesë e kornizës negociuese dhe kjo kërkesë të përmbushet deri me hapjen e klasterit të parë të negociatave për anëtarësim.
Sipas analistit bullgar Stefan Deçev, i cili është edhe themeluesi i Klubit të sapoformuar të Miqësisë maqedonas-bullgar, kjo kërkesë për ndryshime kushtetuese është e re dhe se deri tani nuk ka qenë në fjalorin e Sofjes. Ai pohon se vetoja u vendos për shkak të çështjeve historike.
“A nuk shihni kontradikta, sepse vetoja ishte vendosur para se të flitej fare për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Ajo u vendos për shkak të Goce Dellçevit dhe punës së Komisionit të historisë, dhe papritmas doli kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si kërkesë kryesore bullgare, ndërsa nuk është as në pozicionin kornizë e as në deklaratë”, u shpreh Stefan Deçev, Anëtar i klubit.
“Ka një simptomë në mohimin histerik të historisë së përbashkët me Bullgarinë. Simptoma është rezultat i një ksenofobie të ndërtuar, të cilën ne duhet ta kapërcejmë nga ana jonë, dhe Bullgaria nga ana e saj…”, theksoi Katerina Kolozova, Anëtare e klubit.
Themeluesit e Klubit, përfshirë edhe ish-kryeministrat Ljubço Georgievski dhe Vllado Buçkovski, si dhe gazetarë, sportistë dhe njerëz nga sferat e tjera shoqërore, porositën që vetoja të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur dhe bazën për marrëdhëniet Shkup-Sofje të mbetet Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë e vitit 2017./ Alsat.mk