Ministri i shëndetësisë Arben Taravari shkarkoi nëntë drejtorë ekonomik

Ministri i shëndetësisë Arben Taravari shkarkoi nëntë drejtorë ekonomik

Gazetar: Adnan Qaili

Nëntë drejtorë ekonomik shkarkohen nëpër institucionet shëndetësore publike. Pritet që mos të kenë zëvendësues dhe të funksionojnë vetëm me drejtor medicinal. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari paralajmëron shkarkimin edhe të drejtorëve mjekësor, me qëllim të shtimit të efikasitetit.

“Po ashtu është! Janë shkarkuar jo tetë, por nëntë drejtorë ekonomikë. Nuk i mbaj mend të gjitha, por janë nëntë, përfshirë Toksikologjinë. Drejtori i ri i Toksikologjisë është emëruar sot. Profesor Andon Çibishev do të jetë drejtori i ri i Toksikologjisë. Shpresoj që nesër të caktojmë edhe një drejtor të Onkologjisë, sepse aty ka kaluar vendimi për ushtrues detyre në mes të qershorit, kështu që nesër do të emëroj një drejtor të ri të Onkologjisë. Drejtori i ri i Neurologjisë, është ish-ministri Fatmir Mexhiti”, deklaroi Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Taravari tha se ky trend do të zbatohet edhe në ministritë tjera, ku nga puna do të largohen të gjithë ata që marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë. Ai tha se nuk do të ketë largime të të punësuarave në bazë të etnitetit, por në bazë të efikasitetit në punë do të bëhen ri sistemime në shumë fusha të sektorit publik.

“Unë shumë shpejtë do të propozoj ndryshime të ligjit për mbrojtje shëndetësore, përmes të cilit nuk do të ketë më drejtorë ekonomik në asnjë nga klinikat dhe spitalet ku ka të punësuar më shumë se 100 veta, siç është në ligjin aktual. Do të parashikojmë që të ketë vetëm një drejtor profesionist në çdo institucion. Shpresoj të sinkronizoj sa më shpejtë sistematizimet e të punësuarave me kontrata në vepër dhe të marr një vendim të ri për bashkimin e të gjithë Qendrës Klinike në të njëjtin institucion”, u shpreh Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Taravari paralajmëron plotësimin e kuadrit të profesionalizuar mjekësor sikur në qendrat ashtu edhe në periferitë ambulantore. Ai tha se edhe specializantët privat do ti punësoj me vendime të përhershme me faktin që ti mbaj si kuadër edhe pas përfundimit të studimeve të tyre pas-diplomike. Ka rreth 1,200 të punësuar me kontrata në vepër, për të cilët synojnë ti punësojnë me vendime pune. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button