Ministria e Arsimit  hesht ndaj dyshimeve për keqpërdorim të fondeve Erasmus+ nga Universiteti i Merkos

Ministria e Arsimit  hesht ndaj dyshimeve për keqpërdorim të fondeve Erasmus+ nga Universiteti i Merkos

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministria e Arsimit nuk konfirmon hetime më të thelluara të mundshme ndaj dyshimeve për keqpërdorimin e fondeve të programit Erasmus+ nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, i njohur ndryshe si Universiteti i Merkos.

Informacionet për dyshime rreth keqpërdorimeve të mundshme i publikoi ditë më parë Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, sipas së cilës, ka indikacione serioze për aktivitete të paligjshme të punonjësve të Agjencisë në këtë keqpërdorim.

“U krye një kontroll i jashtëzakonshëm (ECHE Check) për përmbushjen e kushteve për përdorimin e statusit “Karta Erasmus për Arsimin e Lartë” (ECHE) nga institucioni privat i arsimit të lartë Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, për shkak të dyshimeve të bazuara për parregullsi të mundshme në zbatimin e parimeve dhe kritereve të programit Erasmus+, të mundësuara nga punonjës brenda Agjencisë. Për disa prej tyre, BE-ja tashmë ka konstatuar “lidhje familjare” të përfituesve në fushën e arsimit të lartë”, thonë nga Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri.

Në komunikatë thuhet se vlerësimi është shtyrë përkohësisht derisa të merret një qëndrim zyrtar nga Komisioni Evropian në lidhje me statusin e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, pavarësisht presionit nga disa punonjës, për të vazhduar me ndarjen e fondeve për atë universitet.

“U konstatuan gjetje serioze që tregojnë dështime sistemore dhe abuzime të mundshme me natyrë financiare dhe procedurale, në kundërshtim me rregulloret e BE-së dhe ligjet kombëtare. Këto veprime, sipas gjetjeve fillestare, nuk do të kishin qenë të mundura pa mbështetjen e brendshme nga punonjësit e autorizuar brenda vetë Agjencisë Nacionale”, shtuan nga Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri.

Përveç institucioneve ndërkombëtare, Agjencia thotë se ka njoftuar edhe Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë të cilat deri më tani nuk kanë njoftuar për asnjë aktivitet në lidhje me rastin.
Universiteti i Strugës prej vitesh përflitet për keqpërdorime, shkelje ligjore të procedurave të akreditimit, etj./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button