Ministria e Grubit shtab partiak i BDI-së, Antikorrupsioni: Keqpërdorim i resurseve shtetërore

Ministria e Grubit shtab partiak i BDI-së, Antikorrupsioni: Keqpërdorim i resurseve shtetërore

Gazetar: Lluka Andreev

Anëtarët e Antikorrupsionit konstatuan keqpërdorimin e burimeve shtetërore pas shkrimeve të Alsat-it se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, shfrytëzon ambientet e ministrisë së udhëhequr nga Artan Grubi për takime partiake. Ahmeti të mërkurën e kaluar ka pritur në zyrën e Grubit ambasadoren greke Sofia Filipidu, për të cilën partia ka njoftuar për takimin përmes një komunikate për media.

“Megjithatë, zyrat, hapësirat zyrtare të institucioneve nuk duhet të përdoren për mbajtjen e mbledhjeve partiake”, tha Katica Nikollovska – anëtare e KSHPK-së.

Komisioni Kundër Korrupsionit thotë se nuk do të jenë nismëtarë për masë ndaj zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi. Mirëpo, javën e ardhshme do ta informojnë zëvendëskryeministren për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, sepse ajo është përgjegjëse për shkeljen e Kodit të Etikës të personave të zgjedhur dhe të emëruar, dhe presin që ajo të veprojë sipas propozimit të tyre.

“Si mënyrë abuzimi e kemi konstatuar pas shkresave dhe raporteve tuaja, por gjithsesi do t’ia lëmë zyrës së zv.kryeministrit përgjegjës për qeverisje të mirë ta zgjidhë këtë problem. Megjithatë, është përgjegjësia e tyre dhe ne do të japim një njoftim të duhur”, theksoi Katica Nikollovska – anëtare e KSHPK-së.

Një kohë të gjatë Ministria e Sistemit Politik është shndërruar në degë të BDI-së në Shkup. Në momentin kur Ahmeti vendos që mbledhjet partiake t’i mbajë në Shkup, e jo në Reçicë të Vogël, atëherë si lokacion për mbledhje zgjidhet kabineti shtetëror i Grubit. Në ambientin e njëjtë, në prani të monografisë për Pikason, fotos së Nënë Terezës, statujës së Skënderbeut, zhvillon takime edhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, por edhe kryetari i partisë Ahmeti, i cili përndryshe është edhe deputet. Profili i Ahmetit në Facebook është i mbushur me fotografi të takimeve në këtë zyrë, së bashku me ambasadorin çek Jarosllav Ludva, ambasadorin evropian David Gir, ish-ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska, dhe madje edhe këngëtarin Ilir Shaqiri. BDI nuk është përgjigjur në pyetjet e Alsat-it, se pse zyra në Ministrinë e Sistemit Politik përdoret për qëllime partiake. As ministria nuk përgjigjet se pse hapësirat e tyre lejohet të përdoren për takime partiake, kur dihet së është institucion shtetëror. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button