Minjtë pushtojnë shkollën “Panajot Ginovski”, nxënësit bojkotojnë mësimin
Minjtë pushtojnë shkollën “Panajot Ginovski”, nxënësit bojkotojnë mësimin

Gazetare: Melihate Rustemi
Mungesa e higjienës dhe kushteve për mësim në shkollën fillore “Panajot Ginovski” në komunën e Butelit ka detyruar prindërit t’i ndalin fëmijët nga mësimi për disa ditë. Ajo që detyroi prindërit për këtë vendim ishte paraqitja minjve jashtë dhe brenda objektit të shkollës duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve. Disa nga nxënësit që anketuam për Alsat tregojnë në detaje për kushtet në shkollë ndërkohë që kamerat e mediave nuk u lejuan të filmojnë brenda shkollës.
“Gjendja është shumë e tmerrshme, higjiena është e paskajshme, është shumë papastër. Këto ditë kemi hasur edhe minj që po qarkullojnë në shkollë, nuk është vend i sigurt që ne të mësojmë sepse është e tmerrshme gjendja”, tha një nxënëse.
“Tualetet e shkollës nuk i shfrytëzojmë, është shumë papastërti. Tualetet disa janë të dëmtuara, nuk janë të pastra. Në gjysmëvjetorin e parë kemi qenë tre muaj pa derë. Nuk na kanë vendosur derën”, u shpreh një nxënëse.
“Shumë papastërti, mbeturinat ne duhet vet t’i hedhim deri poshtë, nuk e di çfarë shkolle është”, tha një nxënës.
Të revoltuar, prindërit thanë se kërkesat e tyre për higjienë dhe rikonstruim të shkollës nuk përfillen nga drejtoresha.
“Unë çdo ditë i sjell fëmijët këtu, tualetet janë në gjendje alarmuese. Çdo herë që hymë në shkollë e ndjejmë erën prej tualeteve. Klasat gjithashtu janë në gjendje tmerruese, bankat nuk I plotësojnë kriteret, janë të gërvishtura, fëmijët I prishin veshjet çdo ditë. Ka edhe xhama të thyer që mund të biejnë mbi kokën e fëmijëve dhe kjo tash e fundit me paraqitjen e minjve e mbushi kupën dhe për atë shkak jemi mbledh këtu që sa më shpejt shkolla të gjen zgjidhje”, tha një prind.
Pavarësisht tentimeve, drejtoresha refuzoi të prononcohet për këtë problematikë. Ndërkohë nga Komuna e Butelit thanë se ky bojkot është i nxitur politikisht ndërkohë që dezinfektimi është kryer në shkollë. /Alsat.mk