Miratohet dorëheqja e komandantit të Policisë në Lipjan pas vdekjes së 27-vjeçarit

Miratohet dorëheqja e komandantit të Policisë në Lipjan pas vdekjes së 27-vjeçarit

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se e ka miratuar kërkesën e Komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, për të dhënë dorëheqje nga pozita, pas rastit të raportuar më herët gjatë javës në këtë komunë, në të cilin ka vdekur 27-vjeçari Agon Zejnullahu.

“Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar”, ka thënë shkurt Hoxha në një përgjigje me shkrim.

Pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që e kanë ndaluar të ndjerin më 7 korrik u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, meqë dyshohen për kryeje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.

Rasti ka marrë vëmendje të konsiderueshme pasi nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.

Policia ka thënë se Zejnullahu dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.

Mbrojtja e të pandehurve ka thënë më 9 korrik, pas seancës dëgjimore se nuk beson që zyrtarët e suspenduar kanë kontribuuar apo shkaktuar rastin e vdekjes.

Zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, kanë bërë thirrje për hetime dhe zbardhje të rastit.

Familja ka deklaruar se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.

Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si policia e ka menaxhuar rastin në Lipjan.

Ata kanë vënë në dyshim nëse policët e përfshirë kanë pasur trajnim të mjaftueshëm, pasi trajnimi i tyre në Kosovë është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj.

Ekspertët vlerësojnë se kjo periudhë e shkurtër trajnimi nuk është e mjaftueshme për të përballuar situata komplekse në terren.

LEXO EDHE:

Back to top button