Misioni i ODIHR-it në Tiranë: Emigrantët dhe të infektuarit duhej të kishin votuar

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR në Tiranë, në një konferencë për media në raportin e parë dhe paraprak për zgjedhjet në Shqipëri ka adresuar edhe fenomene si shit-blerja e votës apo dhuna gjatë fushatës.
Të pyetur nga gazetarët lidhur me disa çështje që u shoqëruan me debat në vend si vendosja e karantinës për emigrantët në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, apo mos votimi i personave të infektuar, anëtarët e misionit thanë se kryesisht këto janë probleme të sistemeve përkatëse në çdo vend.
I pyetur për mungesën e një shifre zyrtare të pjesëmarrjes në zgjedhje nga ana e KQZ-së, Aleksander Pociej, drejtuesi i delegacionit vëzhgues PACE, tha se kjo është një çështje relative, që varet nga sisteme e gjithsecilit vend.
“Pati shumë diskutime mes vëzhguesve tanë. Në lidhje me qasje komplet të ndryshme. Në vende të tjera, numërimi i votave bëhet në qendrat e votimit. Dhe, sistemi në Shqipëri është i ndryshëm, kërkon më shumë kohë. Unë vëzhgova zgjedhjet në Bullgari, pjesa më e madhe e pretendimeve për hile apo mashtrime elektorale kishin të bënin me numërimin e votave në qendrat e votimit. Nuk mund t’u përgjigjem se cili nga këto sisteme është më i miri apo më i keqi.”
Ndërsa, në rastin e karantinës së emigranteve, vëzhguesit e OSBE ranë dakord se atyre duhej t’u ishte mundësuar votimi, por shtuan se në këtë rast nuk ka shkelje të ligjeve ndërkombëtare.